Eksportet shqiptare shënojnë rritje, kryesisht drejt Italisë dhe Kosovës

Eksportet shqiptare shënojnë rritje, kryesisht drejt Italisë dhe Kosovës

Ekonomia July 17, 2026 - 14:16

Eksportet shqiptare të mallrave vijuan rritjen edhe gjatë muajit qershor 2026, duke arritur vlerën e 35.4 miliardë lekëve, ose 13,6% më shumë se në të njëjtin muaj të një viti më parë.

Instituti i Statistikave bëri të ditur sot në të dhënat e publikuara se, krahasuar me muajin maj, eksportet u rritën me 8,3%.

Rritja e eksporteve u mbështet kryesisht nga grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 5,7 %. Kontribut pozitiv dhanë edhe materialet e ndërtimit dhe metalet me 3,6 %, si dhe makineritë, pajisjet dhe pjesët e këmbimit me 3,3 %.

Nga ana tjetër, rënia të eksporteve u shënua në tekstile dhe këpucë me 1,1%.

Sipas të dhënave zyrtare, edhe importet shënuan rritje duke arritur në 83,5 miliardë lekë, me një zgjerim prej 9,1% në krahasim me qershorin e një viti më parë dhe 3,2% krahasuar me majin. Ndikimin më të madh në rritje dhanë grupet “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 2,3 % si dhe “Ushqime, pije dhe duhan” dhe “Produkte kimike dhe plastike”, me nga 2,2% secili.

Sipas INSTAT-it, deficiti tregtar në qershor arriti në 48 miliardë lekë duke u rritur me 6,1% në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa shënoi një ulje të lehtë prej 0,4% krahasuar me muajin paraardhës.

Sipas të dhënave zyrtare, ndikim negativ shënuan edhe produktet e drurit, letrës dhe lëkurës.

Sa i përket partnerëve tregtarë, eksportet shqiptare shënuan rritje kryesisht drejt Italisë, me 7,6% dhe Kosovës me 38,5%.

Ndërkohë, rënia më e madhe e eksporteve u shënua gjatë qershorit drejt Gjermanisë me 12.8% dhe Maqedonisë së Veriut me 13%.

Importet shënuan rritjen më të madhe nga Italia me 24,9% dhe Kina me 11,5%. Importet nga Turqia u ulën me 6,7% dhe ato nga Spanja me 19,7%.

INSTAT-i konfirmon se shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Evropian vijojnë të dominojnë tregtinë e jashtme të Shqipërisë me 58,4%.

Gjatë qershorit 69,9% e eksporteve shqiptare u drejtuan drejt vendeve të BE-së, ndërsa importet nga vendet e BE-së 53,6%. /atsh