Kosovarët më optimistë për jetën dhe ekonominë se qytetarët e vendeve fqinje

Kosovarët më optimistë për jetën dhe ekonominë se qytetarët e vendeve fqinje

Ekonomia July 15, 2026 - 12:56

Kosova është i vetmi vend në rajon që ka shënuar përmirësim të vazhdueshëm të besimit të konsumatorëve gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, ndërsa shumica e vendeve të rajonit kanë regjistruar rënie të ndjeshme të optimizmit ekonomik. Kjo thuhet në raportin më të fundit të Valicon Consumer Insight për tremujorin e dytë të vitit 2026.

Sipas raportit, pothuajse të gjitha tregjet e rajonit kanë shënuar dobësim të perceptimit për gjendjen ekonomike, financat personale dhe konsumin. Përjashtim bën vetëm Kosova, e cila ka regjistruar rritje vjetore në të tre treguesit kryesorë, duke reflektuar një rritje të besimit ekonomik të qytetarëve. Në anën tjetër, Maqedonia e Veriut vlerësohet si tregu me treguesit më negativë në rajon, ndërsa Serbia po përballet me një valë të fortë pesimizmi ekonomik.

Raporti tregon se, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, në Kosovë indeksi i perceptimit të "normalitetit" është rritur me 15 pikë, gjendja financiare është përmirësuar me 3 pikë, ndërsa niveli i konsumit është rritur me 5 pikë. Megjithatë, autorët theksojnë se të tre treguesit mbeten ende në territor negativ, ndonëse me një trend të qëndrueshëm përmirësimi.

Në kontrast, Serbia ka shënuar rënie në të gjithë indikatorët kryesorë. Indeksi i normalitetit ka rënë me 17 pikë, gjendja financiare me 22 pikë, ndërsa konsumi me 14 pikë krahasuar me një vit më parë, duke e renditur vendin ndër ekonomitë me pesimizmin më të madh në rajon.

Raporti evidenton gjithashtu se 52 për qind e qytetarëve të Kosovës janë shumë të shqetësuar për zhvillimet politike në vend, përqindja më e lartë në rajon. Serbia renditet e dyta me 46 për qind, ndërsa Kroacia ka nivelin më të ulët të shqetësimit me 25 për qind.

Sa i përket cilësisë së jetës, Kosova paraqitet si rasti më pozitiv në rajon. Plot 35 për qind e të anketuarve në Kosovë deklarojnë se jetojnë më mirë se para vitit 2020, përqindja më e lartë ndër të gjitha vendet e përfshira në studim. Në të kundërt, në Bosnje dhe Hercegovinë 53 për qind e qytetarëve vlerësojnë se cilësia e jetës është përkeqësuar, ndërsa në Maqedoninë e Veriut kjo përqindje arrin në 50 për qind.

Raporti është realizuar përmes një ankete online të zhvilluar nga 18 deri më 21 maj 2026, me 509 të anketuar në Kosovë dhe mbi 3,300 pjesëmarrës në shtatë vende të rajonit. /Zëri