Pacolli: Projekti i aeroportit të Vlorës po pengohet nga veprime të kundërligjshme, SPAK-u të hetojë

Pacolli: Projekti i aeroportit të Vlorës po pengohet nga veprime të kundërligjshme, SPAK-u të hetojë

Ekonomia July 14, 2026 - 13:20

Kryetari i kompanisë MABCO Construction S.A., Behgjet Pacolli, ka deklaruar se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, projekti më i madh i realizuar përmes Partneritetit Publik-Privat (PPP) në Shqipëri, vazhdon të mbetet i bllokuar për shkak të asaj që kompania e cilëson si veprime dhe mosveprime të kundërligjshme.

Sipas Pacollit, MABCO, si investitori i huaj dhe financuesi kryesor i projektit, ka investuar mbi 320 milionë euro dhe ka pasur gjatë gjithë kohës kapacitetet teknike, financiare dhe profesionale për ta përfunduar aeroportin sipas standardeve ndërkombëtare.

Ai pretendon se, për një periudhë të gjatë, kompania është përballur me presion të vazhdueshëm juridik, i cili ka penguar përfundimin e punimeve, procesin e certifikimit dhe vënien në funksion të aeroportit.

“MABCO vlerëson se ndaj saj është ushtruar një presion i jashtëligjshëm dhe i vazhdueshëm juridik, me pasoja jashtëzakonisht të rënda. Pasojat nuk i përballon vetëm kompania, por edhe qytetarët shqiptarë, ekonomia e vendit, investitorët e huaj potencialë dhe reputacioni ndërkombëtar i Shqipërisë si destinacion për investime”, thuhet në reagim, transmeton Zeri.info.

Pacolli njoftoi se MABCO i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që të zhvillojë një hetim të plotë dhe të pavarur për të identifikuar përgjegjësit.

Sipas kompanisë, situata lidhet me pretendime për mashtrim, falsifikim dokumentesh, përdorim të dokumenteve të falsifikuara, ndërhyrje të paligjshme në procese gjyqësore, nxjerrje të vendimeve gjyqësore që më pas janë shpallur të paligjshme nga Gjykata e Lartë, si dhe moszbatim të vendimeve të kësaj gjykate.

“MABCO mbetet e vendosur ta përfundojë këtë projekt në përputhje me kontratën, ligjin dhe standardet më të larta profesionale, duke besuar se institucionet e drejtësisë do të veprojnë me pavarësi, paanshmëri dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin”, thuhet në deklaratën e Pacollit.

Reagimi i plotë i Pacollit:

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës,
projekti më i madh i realizuar në formën e Partneritetit Publik-Privat (PPP) në Shqipëri, ku MABCO Construction S.A., si investitori i huaj dhe financuesi kryesor i projektit, ka investuar mjete të konsiderueshme financiare dhe profesionale, vazhdon të mbetet në një situatë të papranueshme juridike dhe faktike.

Për një periudhë të gjatë, veprime dhe mosveprime që MABCO i konsideron të kundërligjshme kanë penguar vazhdimisht përfundimin e punimeve, procesin e certifikimit dhe vënien në operim të aeroportit. Që nga dita e parë e angazhimit të saj, MABCO ka disponuar dhe vazhdon të disponojë të gjitha kapacitetet teknike, financiare, profesionale dhe organizative për ta përfunduar projektin në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

Fatkeqësisht, në prani të institucioneve përgjegjëse dhe pa ndërhyrjen efektive të tyre, MABCO vlerëson se ndaj saj është ushtruar një presion i jashtligjëshem dhe i vazhdueshëm juridik, me pasoja jashtëzakonisht të rënda. Pasojat e kësaj situate nuk i përballon vetëm MABCO, e cila ka një ekspozim financiar që tejkalon 320 milionë euro, por edhe qytetarët shqiptarë, ekonomia e vendit, investitorët e huaj potencialë dhe vetë reputacioni ndërkombëtar i Republikës së Shqipërisë si destinacion për investime.

MABCO i bën edhe një herë thirrje SPAK-ut që, në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, të ndërmarrë një hetim të plotë, të pavarur dhe të gjithanshëm për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës çdo person që mund të ketë kontribuar në krijimin e kësaj situate.

Sipas qëndrimit të MABCO-s, kjo situatë ka ardhur si pasojë e një sërë veprimesh dhe mosveprimesh, të cilat përfshijnë, ndër të tjera, mashtrime, falsifikim dokumentesh, Notifikim të jashtëligjeshem të dokumenteve, përdorim të dokumenteve të falsifikuara, ndërhyrje të paligjshme në procese gjyqësore, nxjerrje të vendimeve gjyqësore që më pas janë konstatuar si të paligjshme nga Gjykata e Lartë, moszbatim ose kundërshtim të efekteve juridike të vendimeve të kësaj gjykate, si dhe veprime apo mosveprime institucionale që kanë mundësuar vazhdimin e kësaj gjendjeje.

Këto pretendime rezultojnë të bazuara, dhe bëhet fjalë për një nga rastet më serioze të cenimit të sigurisë juridike dhe të ABUZIMIT me investimet e huaja në Shqipëri, me pasoja të drejtpërdrejta për sundimin e ligjit, besimin e investitorëve dhe interesin publik.

MABCO mbetet e vendosur që ta përfundojë këtë projekt në përputhje me kontratën, ligjin dhe standardet më të larta profesionale, duke besuar se institucionet e drejtësisë do të veprojnë me pavarësi, paanshmëri dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Behgjet Pacolli