ATK-ja arkëton mbi 595 milionë euro në gjashtë muajt e parë të vitit, 71.5 milionë më shumë se një vit më parë

ATK-ja arkëton mbi 595 milionë euro në gjashtë muajt e parë të vitit, 71.5 milionë më shumë se një vit më parë

Ekonomia July 10, 2026 - 14:38

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se ka shënuar rezultate rekord në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, duke arkëtuar 595.6 milionë euro të hyra tatimore.

Sipas ATK-së, kjo paraqet 71.5 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ishin mbledhur 524.1 milionë euro, ndërsa krahasuar me vitin 2024, rritja arrin në 122.6 milionë euro.

Administrata Tatimore vlerëson se ky rezultat është arritur falë forcimit të administrimit tatimor, avancimit të analizës së rrezikut, intensifikimit të monitorimit dhe kontrolleve, si dhe mekanizmave më efikasë për identifikimin dhe raportimin e evazionit fiskal.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, tha se rezultatet dëshmojnë përkushtimin e institucionit për modernizimin e administrimit tatimor dhe rritjen e përmbushjes së detyrimeve nga tatimpaguesit.

“Rritja e të hyrave tatimore është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të institucionit për të përmirësuar shërbimet ndaj tatimpaguesve, për të forcuar mbikëqyrjen dhe për të siguruar zbatim të drejtë e të barabartë të legjislacionit tatimor. Do të vazhdojmë të investojmë në modernizimin e proceseve, fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe ndërtimin e partneritetit me bizneset dhe qytetarët”, tha Hyseni.

Gjatë periudhës janar–qershor 2026, ATK-ja ka zhvilluar 1.015 kontrolle, të fokusuara kryesisht në sektorët e ndërtimtarisë, tregtisë, akomodimit, shërbimeve ushqimore dhe industrisë përpunuese.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, është konstatuar tatim shtesë në vlerë prej 58.5 milionë eurove, ndërsa janë shqiptuar 2.538 gjoba me vlerë totale prej 1.42 milionë euro.

ATK-ja thekson se ulja e numrit të gjobave, krahasuar me vitet paraprake, tregon rritjen e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore dhe efektet e aktiviteteve informuese ndaj tatimpaguesve.

Institucioni njofton gjithashtu se gjatë gjashtëmujorit të parë është shënuar 50 për qind rritje e raportimeve nga qytetarët, gjë që ka ndihmuar në identifikimin më efikas të shkeljeve tatimore.

Në konferencë u përmend edhe procesi i certifikimit të arkave softuerike SEF, për të cilin Hyseni tha se do të ndikojë në formalizimin e ekonomisë dhe në përmirësimin e shkëmbimit të të dhënave me institucionet përkatëse.

Në fund, drejtori i ATK-së falënderoi punonjësit e institucionit për kontributin në arritjen e këtyre rezultateve, si dhe mediat për promovimin e punës së Administratës Tatimore. /Zëri