Kosova ndër shtetet me rritjen më të shpejtë ekonomike, sfidë vlerësohet varësia nga importi
Kosova renditet e dyta me radhë për rritjen më të shpejtë ekonomike gjatë viteve të ardhshme.
Në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, para Kosovës ndodhet vetëm Malta, me një diferencë të vogël.
Në këtë rritje ekonomike, sipas raportit, do të ndikojnë disa faktorë.
“Faktorët nxitës të rritjes janë të veçantë. Paratë e dërguara në vendlindje nga një diasporë e madhe, kryesisht në Gjermani dhe Zvicër, financojnë si konsumin ashtu edhe investimet në biznes, ndërsa shpenzimet publike për infrastrukturën dhe një sektor bankar në thellim janë faktorë shtesë. Rritja pritet të shkoj rreth 4%”, thuhet nga FMN-ja.
Në raport, si dobësi në rritjen ekonomike theksohet vlera e lartë e importeve, dhe fakti që Kosova nuk ka ndërtuar akoma një bazë konkurruese eksporti.
Megjithatë, ekonomistët në Kosovë vlerësojnë se krahasimi i Kosovës me vende të zhvilluara nuk është i qëndrueshëm.
“Pagat ende janë te ulëta nuk ka zhvillim ekonomik të duhur ka inflacion jashtëzakonisht të lartë pra Kosova varet prej importit pra nuk është krahasueshmëria me vendet e zhvilluare me Kosovën, Kosova qëndron më mirë se është ekonomi e re e dalë pas lufte”, vlerëson ekonomisti Lulzim Beqiri.
E varësia nga importet, sipas ekonomistit Arton Muhaxheri, është një nga pikat më të rëndësishme të raportit.
“Është tregues i qartë i një dështimi strukturor i ekonomisë të vendit tonë kjo sepse parametrat kryesorë të ekonomisë tregojnë Kosova vazhdon të mbetët një shtet thellësisht i varur nga importi me prodhime vendore të dobët dhe me mungese serioze të politikave zhvillimore”, thotë Arton Muhaxheri – ekonomist.
Gjatë vitit 2025, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 3.6% gjatë vitit 2025.
E sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, të publikuar në fillim të këtij muaji, në vitin 2026 nuk pritet të arrihet i njëjti nivel i rritjes. /teve1