Këtë vit 225 biznese të reja më pak se vitin e kaluar
Foto: Laura Hasani

Këtë vit 225 biznese të reja më pak se vitin e kaluar

Ekonomia July 06, 2026 - 09:44

Maji i vitit 2026 e gjen Kosovën me 225 ndërmarrje më pak të regjistruara, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë këtij muaji janë regjistruar 1 mijë e 108 biznese, duke shënuar një rënie prej 16,9 për qind.

Rënie vërehet edhe në raport me muajin paraprak, ku numri i ndërmarrjeve të reja ka pësuar tkurrje për 1,4 për qind.

Kushtrim Ahmeti, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se të bërit biznes në Kosovë është vështirësuar.

“Ambienti për të bërë biznes në Kosovë është jashtëzakonisht i vështirë, i pafavorshëm, demoralizues edhe për këta që janë në vend ende duke punuar”, vlerëson Ahmeti
Ahmeti thekson se veçanërisht bizneset prodhuese po tregojnë gjithnjë e më pak interes për investime.

“Nëse shikon përqindjet, pjesa dërrmuese e bizneseve sot që hapen në Kosovë janë biznese tregtare, e marrin mallin e gatshëm, e shesin, e kryejnë atë shërbim. Nuk ka më gatishmëri prej bizneseve për të bërë prodhim në Kosovë”, thotë ai.

Në anën tjetër, ekonomisti Bashkim Mustafa vlerëson se mungesa e stabilitetit politik është njëri nga faktorët kyç për këtë situatë.

“Pasiguria e fundit që është krijuar vitet e fundit është edhe shkalla e lartë e inflacionit. Pra kemi një normë të inflacionit ku njerëzit dhe bizneset hezitojnë. Kur ka shkallë të lartë të inflacionit, ka hezitime për shkak të riskut të lartë se mos po i bie parasë vlera”, shprehet Mustafa.

Struktura e ndërmarrjeve të reja vazhdon të dominohet nga bizneset e vogla.

Nga totali, 1 mijë e 101 janë mikrondërmarrje me deri në 9 të punësuar, ndërsa vetëm 7 biznese janë të kategorisë së vogël me 10 deri në 49 të punësuar.

Për këtë muaj nuk është regjistruar asnjë ndërmarrje e mesme apo e madhe. /teve1