Fermerët kërkojnë kontrolle në të gjitha fabrikat përpunuese të qumështit

Fermerët kërkojnë kontrolle në të gjitha fabrikat përpunuese të qumështit

Ekonomia July 03, 2026 - 21:45

Shoqata e Qumështarëve dhe Shoqata e Prodhuesve të Qumështit në Kosovë kërkojnë nga institucionet që t’i vazhdojnë kontrollet në të gjitha fabrikat përpunuese, me qëllim të verifikimit të përbërjes dhe cilësisë së produkteve që dalin në treg.

Sipas tyre, përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur në produktet e qumështit duhet të marrë fund, pasi dëmton fermerët vendorë, ul kërkesën për qumësht të freskët dhe cenon besimin e konsumatorëve.

Këto kërkesa vijnë pasi inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), më 2 korrik, kryen kontrolle në fabrikën “Vita” në Istog.

“Jo vetëm një fabrikë”

Për Ramadan Memajn nga Shoqata e Qumështarëve, përdorimi i lëndëve zëvendësuese në industrinë e përpunimit të qumështit nuk është një problem i ri.

Sipas tij, praktika ka qenë e njohur prej kohësh dhe, pikërisht për këtë arsye, kontrollet duhet të vazhdojnë në të gjithë sektorin.

“Është shumë e çuditshme të mendohet se AUV-ja nuk duhet të ushtrojë kontrolle. Kjo logjikë është e gabuar dhe e dëmshme... sepse në këtë sektor nuk ka konkurrencë të drejtë - ata që përdorin zëvendësime, në treg janë me çmime më të ulëta”, thotë Memaj për Radion Evropa e Lirë.

Të njëjtin qëndrim ndan edhe Gani Durmishi nga kjo shoqatë. Ai kërkon që institucionet të ushtrojnë inspektime të rregullta dhe çdo produkt që nuk etiketohet qartë, ose nuk përputhet me përmbajtjen e deklaruar, të hiqet nga tregu.

Në po këtë linjë është edhe kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, Naser Bajraktari, i cili thotë se kontrollet nuk duhet të kufizohen vetëm në një kompani, por të përfshijnë të gjithë industrinë e përpunimit.

“Ne jemi prodhues të qumështit dhe na intereson të shitet qumështi i prodhuar nga fermerët. Me punët tjera le te merren institucionet”, thotë Bajraktari për Radion Evropa e Lirë.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse inspektimet do të shtrihen edhe te kompanitë e tjera.

Megjithatë, burime brenda AUV-së thanë për REL-in se kontrollet në sektorin e përpunimit do të vazhdojnë dhe se nuk do të ketë tolerancë për subjektet që shkelin legjislacionin.

Sipas tyre, çdo parregullsi do të trajtohet me “zero tolerancë”.

Problemi kishte nisur muaj më parë

Debati për përdorimin e qumështit pluhur dhe vajit të palmës nuk është i ri.

Në fillim të prillit, fermerët paralajmëruan se rreth 30 për qind e qumështit të prodhuar në Kosovë, mbetet pa u shitur.

Ata fajësuan kompanitë përpunuese, duke thënë se kishin ulur blerjen e qumështit të freskët dhe se po përdornin gjithnjë e më shumë lëndë zëvendësuese.

Pas inspektimit, kompania vendosi ta ndërpresë përkohësisht aktivitetin.

AUV-ja njoftoi se gjatë kontrollit mori mostra të qumështit me afat të gjatë përdorimi, qumështit pluhur dhe vajit të palmës për analiza laboratorike.

Gjithashtu, tha se gjatë inspektimit fizik konstatoi mospërputhje me legjislacionin në fuqi.

Sipas Agjencisë, në objekt u gjetën sasi të konsiderueshme të lëndëve të para dhe produkteve, si: qumësht UHT, qumësht pluhur, proteina qumështi, hirrë qumështi dhe vaj palme.

Por, përfaqësues të kompanisë së targetuar, e cilësuan inspektimin si tërësisht të paligjshëm, duke thënë se ai ishte selektiv dhe i motivuar politikisht.

Si përgjigje, më 28 prill, Ministria e Bujqësisë miratoi masa për mbrojtjen e prodhimit vendor.

Ministri në detyrë, Armend Muja, njoftoi se produktet e qumështit duhet të etiketohen dhe kategorizohen qartë, ndaloi përzierjen e qumështit të freskët me produkte që përmbajnë qumësht pluhur ose vaj palme dhe vendosi akcizë për qumështin pluhur.

Memaj, pronar i kompanisë përpunuese “Ajka” në Prizren, thotë se pas këtij vendimi, kontrollet e AUV-së janë shtuar.

“Në kompaninë time, inspektorët kanë qenë tri herë për të verifikuar nëse përdoret vaj palme apo produkte të tjera alternative. Ata e kanë kryer punën e tyre”, thotë ai.

Importet vazhdojnë, ndonëse kanë rënë

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se importi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur ka vazhduar edhe pas vendimeve të Qeverisë, megjithëse në sasi më të vogla.

Nga janari deri në qershor, në Kosovë është importuar vaj palme në vlerë prej rreth 1.9 milion eurosh.

Gjatë muajve maj dhe qershor, pas hyrjes në fuqi të masave të Qeverisë, vlera e importeve ishte mbi 772 mijë euro.

Image
Bajraktari thotë se, pas masave të Qeverisë, është shënuar rritje e shitjes së qumështit të freskët, por jo aq e madhe sa prisnin prodhuesit.

Për të njëjtën periudhë, importi i qumështit pluhur arriti vlerën e rreth 1.1 milion eurove, ndërsa gjatë muajve maj dhe qershor ishte rreth 290 mijë euro.

Çfarë thonë ekspertët?

Vaji i palmës është një yndyrë me origjinë bimore, e cila nxirret nga fryti i palmës vajore dhe përdoret gjerësisht në industrinë ushqimore dhe atë kozmetike.

Salih Salihu, ligjërues i Teknologjisë Ushqimore në Universitetin e Prishtinës, thotë se përdorimi i tij nuk është i ndaluar, por konsumimi në sasi të mëdha nuk rekomandohet, pasi studimet e lidhin me rritjen e rrezikut për probleme të caktuara shëndetësore.

Sipas tij, çdo produkt që përmban vaj palme duhet ta deklarojë qartë këtë në etiketë, duke specifikuar edhe përbërjen.

Ai shton se shteti duhet të intensifikojë inspektimet për të garantuar sigurinë ushqimore dhe cilësinë e produkteve në treg.

“Nuk ka dilemë që prodhuesit vendorë duhet të mbështeten për rëndësinë që kanë në ekonomi, por kjo nuk duhet të bëhet në dëm të standardeve të sigurisë ushqimore”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Produktet e qumështit - si djathi, jogurti, kosi, ajka dhe kaçkavalli - mbeten ndër më të konsumuarat në Kosovë.

Sipas Raportit të Gjelbër të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë vitit 2024 konsumi mesatar arriti në rreth 228 kilogramë për banor në vit, ose afërsisht 600 gramë në ditë.

Përveç prodhimit vendor, një pjesë e konsiderueshme e këtyre produkteve importohet edhe nga vende të tjera. /REL