Oda Amerikane: Inspektimi ndaj kompanisë “Vita”, sinjal shqetësues për mjedisin e biznesit
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim serioz lidhur me inspektimin e zhvilluar të enjten në objektet e qumështores “Vita”, duke e cilësuar atë si një veprim të paprecedent dhe duke paralajmëruar se raste të tilla ndikojnë negativisht në klimën e të bërit biznes në vend.
Në një reagim, Oda Amerikane vlerëson se angazhimi i një numri të madh inspektorësh ndaj një kompanie të vetme ngre pikëpyetje për proporcionalitetin, domosdoshmërinë dhe qëllimin e këtij intervenimi.
"Oda Amerikane mbështet plotësisht zbatimin e ligjit dhe përgjegjësinë e institucioneve shtetërore për mbrojtjen e shëndetit publik dhe konsumatorëve, por këto kompetenca duhet të ushtrohen gjithmonë në mënyrë proporcionale, profesionale, të paanshme dhe në përputhje me parimet e sigurisë juridike", thuhet në deklaratë.
Sipas Odës, veprime të tilla krijojnë perceptimin e një trajtimi selektiv dhe tendencioz ndaj bizneseve, duke minuar besimin e komunitetit të biznesit dhe duke dërguar sinjale shqetësuese për investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë.
Më tej, Oda Ekonomike Amerikane thekson se prej kohësh ka ngritur shqetësime për përkeqësimin e mjedisit të të bërit biznes në Kosovë, duke përmendur rritjen e pasigurisë juridike, paparashikueshmërinë institucionale dhe zbatimin jokonsistent të ligjit.
Sipas saj, rasti i inspektimit ndaj kompanisë “Vita” vetëm sa i përforcon këto shqetësime dhe dobëson më tej besimin e investitorëve në Kosovë. /Zëri