Rafuna: Energjia jo vetëm çështje ekonomike e zhvillimore, por edhe e sigurisë kombëtare
Foto: Laura Hasani

Rafuna: Energjia jo vetëm çështje ekonomike e zhvillimore, por edhe e sigurisë kombëtare

Ekonomia July 02, 2026 - 13:05

Sektori energjetik nuk është vetëm çështje ekonomike dhe zhvillimore, por edhe çështje e sigurisë kombëtare.

Kështu tha kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në tryezën me temë “Gazi si burim i energjisë: Gjendja aktuale dhe perspektiva”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe instituti për hulumtime zhvillimore “Riinvest”.

Sipas tij, bizneset në Kosovë përballen me sfida të shumta.

“Pyetja më e rëndësishme është çfarë sistemi energjetik i duhet Kosovës për të siguruar zhvillim ekonomik, konkurrencë të bizneseve dhe tërheqje të investimeve? Energjia nuk është vetëm një çështje teknike, ajo është një çështje ekonomike, zhvillimore dhe mbi të gjitha, një çështje e sigurisë kombëtare. Sot, bizneset në Republikën e Kosovës përballen me shumë sfida. Konkurrenca në tregjet ndërkombëtare po bëhet gjithnjë e më e fortë, kostot e prodhimit po rriten, ndërsa energjia elektrike mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm që përcakton konkurrencën e një kompanie. Çdo ndërprerje e energjisë nënkupton humbje të prodhimit. Çdo rritje e çmimit të energjisë nënkupton rritje të kostos të produktit. Në fund, këto kosto i paguan biznesi, konsumatori dhe ekonomia në tërësi”, tha Rafuna.

Ai tha se për bizneset energjia elektrike nuk është vetëm një faturë mujore, por një faktor kryesor nëse një kompani do të investojë në Kosovë.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të shtrenjtimeve të njëpasnjëshme ndër vite, prandaj për biznesin energjia nuk është vetëm një faturë mujore. Ajo është një nga faktorët kryesorë që përcakton nëse një kompani do të investojë, do të eksportojë apo do ta zgjerojë aktivitetin e saj në Republikën e Kosovës. Një nga pyetjet që dëgjojmë më shpesh sot nga bizneset është: ku po furnizohesh me energji, sa po paguan energji? Shumë rrallë e dëgjojmë pyetjen: nga cili burim është prodhuar ajo energji? Kjo nuk do të thotë se burimi i energjisë nuk ka rëndësi. Sigurisht që ka, por ka, por ka për biznesin prioritet është që energjia të jetë e disponueshme, e sigurt dhe me një çmim konkurrues. Sepse biznesi nuk ndërton strategjinë e tij mbi emrin e burimit të energjisë, ai ndërton strategjinë mbi sigurinë e furnizimit dhe mbi koston e energjisë. Në këtë kontekst duhet të shohim dhe diskutimin sot për gazin. Si Odë Ekonomike e Kosovës, ne jemi këtu për të promovuar një burim të vetëm energjie… pra nuk e promovojmë vetëm një burim të vetëm të energjisë, ne jemi këtu për të promovuar një ekonomi më konkurruese. Nëse gazi mund të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të energjisë, në rritjen e sigurisë energjetike, në uljen e kostove dhe krijimin e kushteve më të mira për biznesin, atëherë ai duhet të analizohet seriozisht dhe profesionalisht. Jo mbi baza emocionale, jo mbi baza politike, por mbi baza ekonomike dhe strategjike”, tha Rafuna.

Ai tha se debati nuk duhet fokusuar në pyetjen pro ose kundër gazit amerikan, por duhet zhvilluar në disa aspekte.

“Sipas ekspertëve, Kosova tashmë ka pasur përvojë me energjinë e prodhuar nga gazi përmes importit nga tregjet rajonale, prandaj është krejtësisht legjitime të shtrojmë pyetjen: pse të mos e analizojmë seriozisht edhe këtë alternativë si pjesë e opsioneve për të ardhmen? Jo për të ndjekur kurrfarë bindje të parakohshme, por për të marrë vendime të mira, të informuara dhe të bazuara për interesat afatgjata të ekonomisë të Republikës së Kosovës. Ky debat nuk duhet të reduktohet vetëm në pyetjen pro apo kundër gazit, ai duhet të zhvillohet nga shumë perspektiva: ekonomike, energjetike, mjedisore, gjeopolitike, të sigurisë së furnizimit dhe mbi të gjitha nga perspektiva e zhvillimit ekonomik të shtetit tonë. Vetëm duke i analizuar të gjitha këto dimensione mund të marrim vendime më të mira për vendin tonë”, shtoi Rafuna.

“Në të njëjtën kohë, duhet të jemi realistë. Kosova duhet të vazhdojë në investimin në energjinë e ripërtëritshme. Dielli dhe era janë pjesë e të ardhmes sonë energjetike, por tranzicioni energjetik kërkon kohë. Si çdo sistem modern energjetik, mbështetet në diversifikim. Sa më shumë alternativa të kemi, aq më qëndrueshëm bëhet edhe sistemi. Sa më shumë burime energjie të kemi në dispozicion, aq më pak ekspozohemi ndaj krizave dhe luhatjeve të tregut. Si Odë Ekonomike e Kosovës, ne lobojmë për një treg konkurrues. Sa më shumë alternativa dhe sa më shumë ofertues të ketë Kosova për furnizim me energji, aq më e madhe është konkurrenca. Sa më e madhe të jetë oferta, aq më konkurrues bëhet çmimi. Dhe sa më konkurrues të jetë çmimi i energjisë, aq më konkurrues bëhet produkti dhe shërbimi i Republikës së Kosovës”, tha Rafuna. /eo