Prezantohet Raporti Vjetor i Inspektimeve, Kusari-Lila thekson angazhimin për një treg të sigurt
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në prezantimin e Raportit të Përgjithshëm Vjetor mbi Inspektimet për vitin 2025, të hartuar nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Gjatë prezantimit, ajo theksoi se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron në kuadër të MINTI-t, është i angazhuar çdo ditë në mbrojtjen e interesit publik, konsumatorëve dhe garantimin e funksionimit të drejtë të tregut.
Kusari-Lila bëri të ditur se Programi për Mbrojtjen e Konsumatorit 2026–2030 ndodhet në fazën e konsultimit publik, ndërsa është përfunduar edhe drafti i parë i Ligjit të ri për Mbrojtjen e Konsumatorit, me qëllim forcimin e kornizës ligjore dhe të drejtave të qytetarëve.
Ajo veçoi edhe aktivitetet kryesore të ndërmarra gjatë muajve të fundit, përfshirë kontrollin e zbatimit të vendimit për çmimet maksimale të derivateve të naftës, verifikimin e njehsorëve elektrikë, mbikëqyrjen e ndarjes së produkteve të qumështit me bazë shtazore dhe bimore, inspektimet për parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te të miturit, si dhe aksionet e përbashkëta me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Policinë e Kosovës.
Sipas ministres, mbrojtja e konsumatorit mbetet një përgjegjësi e vazhdueshme institucionale, ndërsa vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit ka trajtuar mbi 1,800 ankesa të qytetarëve.
Ajo shtoi se MINTI do të vazhdojë të forcojë mekanizmat e mbikëqyrjes së tregut, me synim zbatimin e ligjit, mbrojtjen e konsumatorëve dhe funksionimin e një tregu të drejtë e transparent në Kosovë.