OEK-u mirëpret rregulloren e re të BQK-së, që promovon arbitrazhin në zgjidhjen e kontesteve financiare
Foto: Laura Hasani

OEK-u mirëpret rregulloren e re të BQK-së, që promovon arbitrazhin në zgjidhjen e kontesteve financiare

Ekonomia June 26, 2026 - 14:09

Oda Ekonomike e Kosovës ka përshëndetur vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për hyrjen në fuqi, nga 1 qershori 2026, të Rregullores së re për Procesin e Trajtimit të Ankesave nga Institucionet Financiare, e cila për herë të parë promovon dhe institucionalizon në mënyrë të qartë përdorimin e mekanizmave alternativë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, përfshirë arbitrazhin.

Në përputhje me Nenin 12 të kësaj rregulloreje, institucionet financiare obligohen që klientët t’i informojnë për mundësinë e zgjidhjes së kontesteve përmes arbitrazhit dhe ndërmjetësimit. Po ashtu, dokumentacioni para-kontraktual duhet të përmbajë klauzola që mundësojnë përdorimin e këtyre mekanizmave, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Sipas Odës Ekonomike të Kosovës, ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm drejt avancimit të sundimit të ligjit dhe përmirësimit të qasjes në drejtësi ekonomike në vend.

Përdorimi i arbitrazhit, sipas OEK-ut, pritet t’u mundësojë palëve zgjidhjen e kontesteve në afate dukshëm më të shkurtra, duke shmangur procedurat e gjata gjyqësore. Ky mekanizëm, sipas vlerësimeve të Odës, do të kontribuojë në uljen e kostove për qytetarët dhe bizneset, lehtësimin e ngarkesës së sistemit gjyqësor, si dhe përmirësimin e klimës së investimeve dhe rritjen e besimit të investitorëve të huaj.

OEK-u thekson se përfshirja e arbitrazhit e afron Kosovën me praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare, duke dërguar një mesazh pozitiv për investitorët se vendi ofron një mjedis me sundim të forcuar të ligjit dhe mekanizma efikasë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare dhe financiare.

Në këtë kontekst, Oda Ekonomike e Kosovës rikujton se pranë saj funksionon Tribunali i Përhershëm i Arbitrazhit, i themeluar në bazë të Ligjit për Arbitrazhin, si institucion i pavarur dhe profesional për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet subjekteve ekonomike dhe institucioneve financiare. Vendimet e këtij tribunali njihen dhe zbatohen në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.

Duke shprehur mirënjohje ndaj BQK-së për këtë hap, Oda Ekonomike e Kosovës ka ftuar bankat, institucionet mikrofinanciare, kompanitë e sigurimeve dhe institucionet e tjera financiare që, gjatë harmonizimit të dokumentacionit me rregulloren e re, të përfshijnë klauzola arbitrazhi duke referuar Tribunalin e Përhershëm të Arbitrazhit pranë Odës.

OEK-u ka bërë të ditur se stafi i saj mbetet në dispozicion të palëve për informata shtesë lidhur me procedurat e arbitrazhit dhe për mbështetje në implementimin praktik të rregullores. /Zëri