Investim prej tre milionë eurosh për Shalën e Mitrovicës, nënshkruhet kontrata për asfaltimin e 23.4 km rrugë
Kryetari i Komunës së Mitrovicës Faton Peci ka njoftuar se është nënshkruar kontrata për realizimin e një projekti infrastrukturor në zonën e Shalës, asfaltimin e 23.4 kilometrave rrugë.
Sipas Pecit, vlera e investimit arrin në rreth tre milionë euro dhe projekti do të realizohet përmes bashkëfinancimit ndërmjet Komunës së Mitrovicës dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
"Nënshkrova kontratën që i jep kahje zhvillimit të Shalës përmes projektit infrastrukturor të asfaltimit të rrugëve. Pasurisë natyrore kur i shtohet investimi, nuk mund t’i mungojë zhvillimi. Për Shalën, për Mitrovicën", shkroi Peci në një postim në Facebook.
Tutje thuhet se projekti synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore në këtë zonë dhe lehtësimin e qarkullimit për banorët e Shalës.