Afat deri më 21 korrik, publikohen procedurat e aplikimit për subvencionet në bujqësi
Foto: Zëri / Ilustrim

Afat deri më 21 korrik, publikohen procedurat e aplikimit për subvencionet në bujqësi

Ekonomia June 22, 2026 - 15:06

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka njoftuar se nga sot është hapur zyrtarisht aplikimi për Programin e Pagesave Direkte 2026, programi kryesor i mbështetjes së prodhimit bujqësor në Kosovë.

Përmes një postimi, Muja theksoi se programi i këtij viti paraqet një hap të rëndësishëm në reformimin e politikave mbështetëse në bujqësi dhe harmonizimin gradual të tyre me parimet e Politikës së Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, programi është ndërtuar për të mbështetur fermerin aktiv, për të forcuar prodhimin vendor, për të rritur cilësinë e prodhimit dhe për të krijuar kushte më të mira për zhvillimin e fermave familjare dhe të gjeneratës së re të fermerëve.

Ministri në detyrë bëri të ditur se fermerët do të kenë mundësi të përfitojnë nga katër shtylla kryesore të mbështetjes: Pagesa Bazë për të Ardhura për sipërfaqet e pranueshme bujqësore, pagesat rishpërndarëse për fermat e vogla dhe të mesme si dhe fermerët e rinj, pagesat e lidhura me prodhimin dhe cilësinë për sektorët prioritarë të bujqësisë, si dhe eko-skema për prodhimin organik dhe praktikat e qëndrueshme bujqësore.

“Programi i këtij viti vendos theks të veçantë tek prodhimi, rendimenti dhe cilësia, duke orientuar një pjesë të konsiderueshme të mbështetjes drejt fermerëve që prodhojnë, investojnë dhe kontribuojnë në zhvillimin e tregut vendor”, ka shkruar Muja.

Ai ka bërë të ditur se periudha e aplikimit do të zgjasë nga 22 qershori deri më 21 korrik 2026, ndërsa aplikimi do të bëhet në drejtoritë komunale për bujqësi në të gjitha komunat e vendit.

Muja u ka bërë thirrje fermerëve që të aplikojnë me kohë dhe të sigurohen që të dhënat e deklaruara për sipërfaqet, kulturat bujqësore, kafshët, kosheret dhe prodhimin të jenë në përputhje me gjendjen reale në fermë.

Ai po ashtu ka theksuar rëndësinë e identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve për blegtorët, si dhe ruajtjen e dokumentacionit për sektorët ku kërkohen dëshmi të prodhimit dhe shitjes.

Sipas ministrit në detyrë, Programi i Pagesave Direkte 2026 do të zbatohet me standarde të larta të transparencës, kontrollit dhe llogaridhënies, përmes verifikimeve administrative, kontrolleve në terren dhe monitorimit të parcelave, me qëllim që mbështetja publike të arrijë te fermerët aktivë.