OEAK: Shpërfillja e thirrjeve të SHBA-së rrezikon partneritetin strategjik me Kosovën

OEAK: Shpërfillja e thirrjeve të SHBA-së rrezikon partneritetin strategjik me Kosovën

Ekonomia June 17, 2026 - 10:14

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësim serioz për, siç thuhet, mungesën e vazhdueshme të konsideratës nga ana e Qeverisë në detyrë e Kosovës ndaj thirrjeve të përsëritura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përfshirjen e vendit në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshëm natyror (LNG).

Në një deklaratë publike, Oda Amerikane vlerëson se Kosova vazhdon të mbetet shumë e varur nga kapacitetet e vjetruara të prodhimit të energjisë, importet e konsiderueshme të energjisë elektrike dhe një treg rajonal energjetik gjithnjë e më i paqëndrueshëm.

“Qasja në gazin e lëngshëm amerikan përfaqëson jo vetëm një mundësi energjetike, por edhe një zgjedhje strategjike. Diversifikimi i burimeve të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit dhe forcimi i konkurrueshmërisë ekonomike duhet të mbeten ndër prioritetet kombëtare të Kosovës”, thuhet në reagim.

Oda Amerikane ka theksuar se është veçanërisht shqetësuese që të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor tashmë kanë shprehur gatishmërinë për t’u bërë pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, e cila po zhvillohet me mbështetjen e fuqishme të SHBA-së.

Sipas saj, Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore.

“Oda Amerikane vlerëson se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit. Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës”, theksohet më tej.

Në fund, Oda Ekonomike Amerikane u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të rivlerësojnë implikimet afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të qëndrimit jashtë nismave rajonale për LNG-në dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me SHBA-në për këtë çështje. /Zëri