ASK: Ekonomia e Kosovës u rrit për 5,43% në tremujorin e parë të vitit 2026
Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje reale prej 5,43 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka njoftuar Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Sipas të dhënave të publikuara nga ASK-ja, rritja ekonomike është mbështetur nga disa sektorë kyç, ndër të cilët tregtia me shumicë dhe pakicë, transporti, magazinimi, akomodimi dhe shërbimet ushqimore me 2.11 për qind, aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 4.76 për qind, informacioni dhe komunikimi me 3.02 për qind, si dhe administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet sociale me 22.11 për qind.
Rritje është regjistruar edhe në sektorin e ndërtimtarisë (2.52 për qind), bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit (2.47 për qind), industrisë përpunuese (2.32 për qind), si dhe në aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike (3.52 për qind).
Nga ana e shpenzimeve, ASK-ja bën të ditur se eksporti i mallrave dhe shërbimeve është rritur për 17.26 për qind, formimi i bruto kapitalit për 3.01 për qind, importi i mallrave dhe shërbimeve për 5,02 për qind, ndërsa shpenzimet finale të konsumit të qeverisë janë rritur për 16,53 për qind.
Ndërkohë, rënie është shënuar te shpenzimet e konsumit final të ekonomive familjare dhe institucioneve jofitimprurëse që u shërbejnë familjeve (NPISH), me 0,91 për qind.
Sipas ASK-së, BPV-ja nominale në tremujorin e parë të vitit 2026 arriti në 2 miliardë e 429 milionë euro, ndërsa rritja reale prej 5,43 për qind paraqet normën më të lartë të rritjes ekonomike krahasuar me tremujorët e vitit 2025. /Zëri