Kosova dhe Zvicra nisin projekt 8.78 milionë franga për transformimin e gjelbër të bizneseve

Kosova dhe Zvicra nisin projekt 8.78 milionë franga për transformimin e gjelbër të bizneseve

Ekonomia June 11, 2026 - 13:46

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka nënshkruar marrëveshje për zbatimin e projektit “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë (GPEK)”, me vlerë prej 8.78 milionë frangash zvicerane.

Marrëveshja është nënshkruar nga ministrja në detyrë, Mimoza Kusari-Lila dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë Jürg Sprecher, në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe me bashkëfinancim nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).

Projekti do të zbatohet gjatë periudhës 2026–2031 dhe synon të mbështesë tranzicionin e gjelbër të sektorit privat në Kosovë, me fokus në rritjen e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë klimatike të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Sipas njoftimit, përmes këtij programi do të promovohet përdorimi i teknologjive më të pastra, rritja e efikasitetit në përdorimin e burimeve dhe adoptimi i praktikave të qëndrueshme të biznesit, duke krijuar gjithashtu mundësi të reja për zhvillim ekonomik.

Ministrja Kusari-Lila ka theksuar se transformimi i gjelbër mbetet një nga prioritetet strategjike të ministrisë, duke e cilësuar investimin në inovacion dhe teknologji të qëndrueshme si thelbësor për rritjen afatgjatë ekonomike të vendit.

Ajo ka shtuar se projekti pritet të kontribuojë në fuqizimin e ndërmarrjeve vendore, promovimin e investimeve të gjelbra, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përfshirjen më të madhe të grupeve të nënpërfaqësuara në ekonomi.

Në fund, ministrja ka falënderuar Qeverinë e Zvicrës, SDC-në, SIDA-n dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe besimin në potencialin e saj zhvillimor. /Zëri