Oda Ekonomike Amerikane: SHBA-ja riafirmon mbështetjen për përfshirjen e Kosovës në strategjinë e gazit natyror të lëngshëm
Departamenti Amerikan i Energjisë ka riafirmuar mbështetjen për konsiderimin strategjik të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Kosovë, si pjesë e përpjekjeve për forcimin e sigurisë energjetike dhe diversifikimin e burimeve të furnizimit.
Kjo u bë e ditur gjatë një diskutimi të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me temën “Shfrytëzimi i LNG-së Amerikane për Sigurinë Energjetike dhe Përafrimin Strategjik të Kosovës”.
Në këtë aktivitet, zëvendësndihmëssekretari i Departamentit të Energjisë së SHBA-së për Evropën, Euroazinë, Afrikën dhe Lindjen e Mesme, Dan Byers, theksoi se siguria energjetike është pjesë e sigurisë kombëtare dhe se qëndrueshmëria e sistemit energjetik varet nga diversifikimi i burimeve.
Ai vlerësoi rolin aktual të thëngjillit në sistemin energjetik të Kosovës, por shtoi se LNG mund të bëhet një komponent i rëndësishëm në të ardhmen, veçanërisht në kushtet e rritjes së kërkesës për energji.
Byersi theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi më i madh në botë i gazit natyror dhe se eksportet e LNG-së pritet të rriten në vitet e ardhshme. Sipas tij, SHBA tashmë furnizon rreth 60 për qind të importeve evropiane të LNG-së dhe do të vazhdojë të mbetet një furnizues kyç për aleatët në Evropë.
Ai nënvizoi se përveç furnizimit, thelbësore mbetet edhe zhvillimi i infrastrukturës, duke përfshirë ndërlidhjet rajonale dhe korridoret energjetike që do t’i mundësonin Kosovës qasje në LNG. Në këtë drejtim, ai përmendi gatishmërinë e SHBA-së për të mbështetur projekte infrastrukturore dhe iniciativa rajonale në Evropën Juglindore.
Në përmbyllje, Byersi riafirmoi mbështetjen e Departamentit të Energjisë për Kosovën përmes ekspertizës teknike, ngritjes së kapaciteteve dhe bashkëpunimit strategjik, duke e cilësuar sigurinë energjetike si prioritet të rëndësishëm në raport me partnerët dhe aleatët e SHBA-së. /Zëri