Sonte ndalet njësia A4 e Termocentralit Kosova A, nis remonti vjetor
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A4 e Termocentralit Kosova A do t’i nënshtrohet remontit të rregullt vjetor, në kuadër të aktiviteteve të planifikuara të mirëmbajtjes dhe përgatitjes së kapaciteteve gjeneruese për periudhat me kërkesë të shtuar për energji elektrike.
Sipas njoftimit, ekipet profesionale dhe teknike të TC Kosova A kanë përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme, ndërsa njësia do të ndalet sonte nga ora 00:00 në mënyrë të planifikuar dhe të kontrolluar, në përputhje me standardet teknike dhe të sigurisë operative.
Pas krijimit të kushteve teknike dhe përfundimit të procedurave të sigurisë, do të nisin aktivitetet e remontit vjetor, të cilat përfshijnë inspektimin, riparimin dhe sanimin e pajisjeve kryesore, me synim rritjen e besueshmërisë operative, përmirësimin e performancës teknike dhe sigurimin e operimit të qëndrueshëm të njësisë gjatë ciklit të ardhshëm njëvjeçar të punës.
KEK thekson se remonti vjetor i njësisë A4 është një nga aktivitetet më të rëndësishme të mirëmbajtjes së planifikuar në Termocentralin Kosova A dhe synon ruajtjen e sigurisë së operimeve, rritjen e disponueshmërisë së kapaciteteve gjeneruese dhe garantimin e prodhimit të qëndrueshëm të energjisë elektrike për vendin.
Po ashtu, KEK ka bërë të ditur se do të vazhdojë realizimin e aktiviteteve të rregullta të mirëmbajtjes edhe në njësitë e TC Kosova A, paralelisht me projektet e modernizimit që po zhvillohen në TC Kosova B.