Nga një biznes familjar në një histori transformimi që vazhdon
Nga një biznes i vogël familjar në Mamushë, i nisur fillimisht me bujqësi, Birlik sot është shndërruar në një prodhues rajonal të miellit dhe ambalazhimit industrial, i cili eksporton shumicën e produkteve në tregjet e rajonit.
Me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bashkimit Evropian (BE), kompania po hyn tani në një fazë të re zhvillimi, duke investuar në energji të ripërtëritshme dhe rritje të efikasitetit operacional.
Për kompanitë që operojnë në industrinë përpunuese, ruajtja e kostove stabile dhe të parashikueshme të prodhimit po bëhet çdo ditë e më sfiduese. Sfida të reja lindin çdo ditë: çmimet e energjisë, pasiguritë në furnizim dhe luhatjet e kostove të lëndëve të para po ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi bizneset.
Megjithatë, sot ju prezantojmë një histori që është dëshmi e rezistencës dhe përshtatjes.
E themeluar në vitin 1978 si biznes familjar në komunën e Mamushës pranë Prizrenit, Birlik fillimisht operonte në sektorin e bujqësisë, përpara se gradualisht të kalonte në prodhimin e miellit. Me rritjen e prodhimit bujqësor dhe nevojën për të përpunuar vetë grurin, familja pa një mundësi për të kaluar nga prodhimi primar në atë përpunues, duke hedhur hapat e parë në industrinë e miellit.
Që atëherë, kompania ka kaluar nëpër shumë ndryshime. Tregu është bërë më konkurrues, teknologjia ka avancuar dhe sfidat janë shtuar. Për më shumë se katër dekada, Birlik ka vazhduar të zhvillohet, duke ndërtuar një biznes të bazuar në cilësi, qëndrueshmëri dhe vizion afatgjatë.
Sot kompania vazhdon të funksionojë si biznes familjar, ku një pjesë e madhe e ekipit vjen nga vetë familja. Me rreth 30 punonjës, kompania ka arritur të ruajë balancën mes traditës dhe rritjes së vazhdueshme.
“Operojmë në prodhimin e miellit dhe ambalazhimit industrial, por rritja jonë gjithmonë është ndërtuar mbi aftësinë për t’u përshtatur me ndryshimet. Si biznes familjar, punën tonë e kemi bazuar në cilësi, besueshmëri dhe marrëdhënie afatgjata me klientët”, thotë Fikret Morina, drejtor i kompanisë.
Një kapitull i ri: prodhimi i thasëve
Një moment kyç në zhvillimin e kompanisë erdhi në vitin 1997, kur Birlik zgjeroi aktivitetin duke hyrë në sektorin e prodhimit të thasëve. Ky vendim strategjik e pozicionoi kompaninë si prodhuesin e vetëm të thasëve në Kosovë.
Rrugëtimi, megjithatë, nuk ka qenë i lehtë. Zhvillimet globale dhe problemet në zinxhirët e furnizimit kanë sjellë vështirësi të vazhdueshme në sigurimin e lëndëve të para. Ky sektor kërkon precizitet, durim dhe menaxhim të kujdesshëm të proceseve.
Pavarësisht sfidave, Birlik ka vazhduar operimin pa ndërprerje. Sot, rreth 70% e prodhimit eksportohet në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, duke e pozicionuar kompaninë si një lojtar të rëndësishëm rajonal.

Ulje e kostove të energjisë dhe më shumë stabilitet operacional
Duke ndërtuar mbi aftësinë për t’u përshtatur dhe për të qëndruar konkurrues, Birlik ndërmori një hap të ri drejt menaxhimit më efikas të energjisë dhe kostove operative. Ky investim u mbështet përmes financimit nga BERZH dhe grantit të financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit SME Go Green.
Në kuadër të investimit, kompania instaloi panele solare fotovoltaike me kapacitet prej 200 kW. Investimi në energjinë diellore tashmë ka sjellë përfitime konkrete financiare dhe operative.
“Në përputhje me objektivat tona për qëndrueshmëri dhe efiçiencë energjetike, kemi investuar në panele solare me kapacitet mbi 200 kW. Ky investim na ka mundësuar kursime të konsiderueshme në kostot e energjisë elektrike. Aktualisht, rreth 30–40% e nevojave tona për energji mbulohen nga prodhimi vetanak. Gjatë muajve të verës, kur prodhimi nga energjia diellore rritet, presim që kjo përqindje të jetë edhe më e lartë”, thotë Fikret Morina, drejtor i kompanisë.

Mbështetja e BERZH-it dhe BE-së si shtysë për zhvillim
Sipas kompanisë, pjesëmarrja në Programin SME Go Green ka qenë shumë e dobishme për përmirësimin e operimeve të biznesit.
Përmes programit, Birlik përfitoi grant nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 15% të kredisë, pas verifikimit të suksesshëm të investimit. Gjithashtu, asistenca teknike falas e ofruar nga Programi e ndihmoi kompaninë të kuptojë më mirë procesin dhe të përgatisë dokumentacionin e nevojshëm.
“Jemi shumë të kënaqur me këtë investim. Në të ardhmen synojmë ta zgjerojmë edhe më tej, nëse do të ketë mundësi të reja mbështetjeje”, thekson kompania.
Sot, historia e Birlik nuk është vetëm histori biznesi. Është histori e familjes, e qëndrueshmërisë dhe e përshtatjes me kohën, një shembull se si edhe bizneset tradicionale mund të transformohen dhe të ndërtojnë një të ardhme më të qëndrueshme.
“Programi 'SME Go Green' i BERZH-it dhe Bashkimit Evropian mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor për të investuar në ekonomi të gjelbër, përmes financimit, asistencës teknike dhe granteve investuese prej 10% dhe 15% të financuara nga BE. Programi mbështet investime në efiçiencë energjetike, energji të ripërtëritshme dhe përdorim më efikas të burimeve, me synim uljen e emetimeve të gazeve serrë dhe forcimin e zinxhirëve të vlerës në agrobiznes. Përveç financimit të ofruar nga institucionet financiare partnere për investime të gjelbra të pranueshme, Programi ofron edhe grante të financuara nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 10% ose 15%, si dhe asistencë teknike falas. Fokus i veçantë i kushtohet qasjes gjithëpërfshirëse në financa, përfshirë mbështetjen për gratë ndërmarrëse dhe bizneset e udhëhequra nga gratë. Për më shumë informata: [email protected].
