Paga të larta, udhëtime të shpeshta – puna remote në tregun e huaj po josh të rinjtë kosovarë
Barrierat fizike dhe kufitare që po shkrihen çdo ditë nga përparimi i teknologjisë, iu ka mundësuar të rinjve kosovarë të kenë akses në tregun ndërkombëtar të punës.
Pagesat më të mira dhe liria e lëvizjes në orarin e punës po shihen si përparësi nga të rinjtë që çdo ditë e më shumë interesohen të punësohen nga kompanitë ndërkombëtare, raporton Klankosova.tv.
Një 27-vjeçar nga Prishtina, i cili prej tre vitesh punon në mënyrë remote për një kompani të huaj, ka rrëfyer për eksperiencën e tij drejt punësimit ndërkombëtar.
“Puna remote nuk ka filluar direkt nga zero në remote. Fillimisht ka qenë ekspozim ndaj postimeve në internet se si mund të fitosh online nga platforma të ndryshme si Google, Facebook etj. Fillimisht me disa uebsite personal duke i monetizuar ato duke eksploruar mundësi për të fituar para, pastaj me interesim me rrjete lokale në Facebook, u bashkova në një kompani ku kam punuar 3 vite full-time, kurse pastaj duke u profesionalizuar në punë fillova të punojë remote dhe u punësova nga një kompani daneze. Pra fillimisht e kam parë që mund të fitosh online, kam eksploruar, kam punuar full time, e pastaj kam kaluar në remote”, tha fillimisht ai.
Ai tha se paga shumë më e lartë, qartësia në punë dhe përvoja janë nga beneficionet më të mëdha nga puna remote për kompani ndërkombëtare.
“Fillimisht është paga, pastaj është mirëkuptimi. Ata kanë qëllim dhe mision, kur po e them këtë është sepse ata e dinë çka duan dhe çka presin nga ti, paguhesh mirë dhe detyrat janë të specifikuara që të bënë punën më të lehtë edhe nëse është më e lodhshme. Përvoja është shumë e vlefshme, jo vetëm për punën që e kam dhe industrinë ku punoj, por edhe për jetën time personale. Puna remote më ka mundësuar të udhëtoj më shumë, të takoj më shumë njerëz. Nga Kosova njoh, ka njerëz që punojnë në këtë industri”, shtoi 27-vjeçari.
Në anën tjetër, i riu krahasoi eksperiencën e tij të punës për kompani vendore dhe ato ndërkombëtare duke potencuar se dallon niveli i profesionalizmit dhe numri i stafit.
“Niveli i profesionalizmit, numri i stafit zakonisht në Kosovë janë më pak, pagesat jo të duhura, paqartësi në punë, qëllime jo specifike, këto janë disa nga gjërat që kompanitë kosovare kanë mangësi ndaj atyre ndërkombëtare”, vazhdoi 27 vjeçari nga Prishtina.
Në fund, ai tregoi specifika nga profesioni i tij duke ndarë këshilla për të tjerë që dëshirojnë të fillojnë punë në të njëjtën industri.
“Puna ime aktuale është Marketing Manager, pra unë menaxhoj kampanja marketingu të kompanive të ndryshme në Europë dhe Amerikë, kompani të cilat janë klient të kompanisë ku unë punoj, mirëpo kam projekte edhe anësore. Një këshillë është që çdo informacion që e sheh është i mirë për t’u marrë, nëse e sheh një artikull interesant, nëse e sheh një hulumtim interesant nuk duhet ta lësh anash kurrë. Çdo gjë që ti e merr si informacion është e vlefshme pasi në të ardhmen do të hyjë në punë. Po ashtu gjërat e vogla vërehen nga njerëzit në Europë dhe Amerikë, kompanitë do thotë i shohin detajet e vogla në njohuri, këto të avancojnë përpara, këto të bëjnë të marrësh punën”, përfundoi ai.
Se puna remote për kompani nga tregu ndërkombëtar i punës po bëhet gjithnjë e më tërheqës për kosovarët e thotë edhe njohësi i rrjeteve sociale, Diamant Bajra.
Bajra në një prononcim për KlanKosova.tv tha se pagat e ofruara nga kompanitë e huaja janë disa herë më të larta se mesatarja e pagës vendore.
“Tregu i huaj është jashtëzakonisht tërheqës për të rinjtë kosovarë, dhe kjo ka arsye të qarta. Pagat në kompanitë e huaja, sidomos ato perëndimore, janë disa herë më të larta se mesatarja vendore – edhe një rol bazik ‘remote’ mund të paguajë sa disa paga vendore së bashku. Përtej parave, të rinjtë tërhiqen nga mundësia për të punuar me ekipe ndërkombëtare, për t’u ekspozuar ndaj standardeve profesionale të avancuara dhe për të ndërtuar një CV që ka vlerë globale. Për një gjeneratë që është rritur me internetin dhe flet anglisht rrjedhshëm, kufijtë fizikë nuk janë më pengesë. Kosova ka një popullsi shumë të re – kjo e bën tregun e huaj jo vetëm tërheqës, por edhe një rrugëdalje natyrale për ambiciet profesionale”, deklaroi Bajra.
Ai potencoi se ekziston rreziku se kompanitë vendore nuk do mund të konkurrojnë me kushtet e tregut të huaj duke pasur vështirësi të mbajnë talentet në tregun e Kosovës.
“Benificionet janë të shumëfishta: paga konkurruese, fleksibilitet në orar, qasje në trajnime dhe mjete profesionale, si dhe rritje e shpejtë e karrierës. Punëtori fiton përvojë që në Kosovë do t’i merrte vite për ta arritur. Por rreziku ekziston dhe është real. Kur kompanitë vendore nuk mund të konkurrojnë me pagat dhe kushtet e tregut të huaj, ato e kanë të vështirë të mbajnë talentet më të mira — ky është fenomeni i njohur si ‘brain drain’. Megjithatë, ka edhe një anë pozitive: shumë punëtorë ‘remote’ qëndrojnë fizikisht në Kosovë, paguajnë taksa këtu, shpenzojnë në ekonominë lokale dhe shpesh bëhen mentorë ose hapin biznese vetë. Pra, nuk është gjithmonë largim — shpesh është ‘eksport shërbimesh’ pa larguar njeriun. Sfida për Kosovën është të krijojë kushte që këta njerëz të mos largohen fizikisht”, deklaroi njohësi i rrjeteve sociale.
Ai shtoi se Kosova ka potencial të lartë në fushën e shërbimeve teknologjike duke pasur parasysh faktin që shteti ka fuqi punëtore të re dhe të kualifikuar.
“Potenciali është shumë i lartë. Kosova ka disa avantazhe konkurruese: popullsia më e re në Evropë, njohuri e gjerë e gjuhës angleze, dhe një diferencë kohore e favorshme që lejon punë si me Evropën ashtu edhe me pjesë të SHBA-së. Kostoja e jetesës më e ulët e bën punëtorin kosovar konkurrues në çmim pa ulur cilësinë. Në fushën e rrjeteve sociale konkretisht – menaxhim faqesh, krijim përmbajtjeje, marketing digjital, dizajn grafik, editim video – barriera për të hyrë është e ulët dhe nuk kërkohet domosdoshmërisht diplomë formale, vetëm aftësi të dëshmuara. Kjo e bën fushën ideale për të rinjtë. Pengesat kryesore mbeten qasja e kufizuar në platforma pagese ndërkombëtare dhe nevoja për infrastrukturë më të mirë e politika mbështetëse nga shteti”, shtoi ai.
Njohësi i rrjeteve sociale përmendi statistika të cilat tregojnë rritje të punës remote, shërbimeve teknologjike dhe digjitale.
“Po, padyshim, dhe trendi është mbresëlënës. Numri i kompanive të teknologjisë po rritet vazhdimisht: numri i kompanive të TIK-ut të regjistruara në Administratën Tatimore u rrit nga 1.862 në vitin 2019 në 2.994 në vitin 2022 — rritje mesatare rreth 17% në vit. Brezat e rinj kosovarë po hyjnë në treg me aftësi digjitale dhe njohuri gjuhësore më të mira se kurrë. Po rriten edhe komunitetet, akademitë dhe bootcamp-et që përgatisin njerëz konkretisht për këtë treg”, vazhdoi Bajra.
Në fund, Bajra tha se kjo lloj pune është një nga mundësitë më premtuese ekonomike për Kosovën, por tha se duhet të ketë edhe politika që mbështesin këtë fushë.
“Faktorët që e nxisin këtë janë të qartë: pandemia normalizoi punën ‘remote’ në mbarë botën, brezat e rinj kosovarë po hyjnë në treg me aftësi më të mira, dhe ekosistemi po piqet. Më shumë se gjysma e kompanive të anketuara janë themeluar pas vitit 2020, gjë që pasqyron dinamizmin sipërmarrës të sektorit. Edhe investimet e huaja po e konfirmojnë besimin: investimet e huaja direkte në Kosovë e kaluan një miliard euro në vitin 2025 për herë të parë në historinë e vendit. Kjo është një nga mundësitë më premtuese ekonomike për Kosovën — me kusht që infrastruktura, qasja në pagesa ndërkombëtare dhe politikat shtetërore ta mbështesin këtë valë”, përfundoi Bajra.