Ushqime të pasigurta në treg, shtohen inspektimet
Foto: Laura Hasani

Ushqime të pasigurta në treg, shtohen inspektimet

Ekonomia May 15, 2026 - 22:15

Inspektimet në treg janë intensifikuar, pasi edhe sivjet janë hasur produkte të shumta ushqimore të dyshimta për konsum.

Përfaqësuesit e konsumatorëve thonë se qytetarët vazhdojnë të kenë mungesë informacioni për mënyrën se si të dallojnë produktet që nuk janë të sigurta për shëndetin e tyre.

“Çmimet lartë, standardi jetësor poshtë. Mirëqenia sociale nuk është askund. Me cilësinë do të duhej të merreshim vetë, por as ne nuk dimë e nuk duam ta bëjmë këtë”, ka thënë Selatin Kaçaniku, kryetar i shoqatës “Konsumatori”.

Autoritetet në vend kanë identifikuar raste kur produktet e qumështit, të shitura në treg, nuk kanë pasqyruar saktë përbërjen e tyre.

Dyshimet për përdorimin e qumështit pluhur dhe vajit të palmës, si zëvendësues të qumështit të freskët, kanë shtyrë Ministrinë e Bujqësisë të ndërmarrë masa konkrete për mbrojtjen e konsumatorëve dhe prodhuesve vendorë.

Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se, pavarësisht mungesës së inspektorëve, kontrollet në treg janë shtuar.

Të dhënat e Ministrisë së Industrisë, të dërguara për RTK-në, tregojnë se gjatë vitit të kaluar janë ndërmarrë 861 masa administrative dhe ndëshkuese si rezultat i inspektimeve në treg.

Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka evidentuar 10 shpërthime të helmimeve ushqimore gjatë së njëjtës periudhë.

Ushqime të pasigurta në treg, shtohen inspektimet, qindra masa ndëshkuese.