Prishtina shndërrohet në qendrën gjigante të biznesit shqiptar global
Kosova pritet të mirëpresë një nga ngjarjet më të mëdha ekonomike shqiptare të viteve të fundit.
Më 15 dhe 16 maj 2026, në Hotel Emerald në Prishtinë, do të mbahet Konferenca Ekonomike B2B “Prishtinë 2026”, organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare dhe Komuniteti i Bizneseve Kosovaro-Gjermano-Zvicerane, KGS.
Konferenca synon të bashkojë bizneset shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Evropa dhe diaspora, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi ekonomik, investimesh dhe partneritetesh strategjike.
Në kuadër të aktivitetit do të organizohen takime të strukturuara B2B, panele diskutimi me përfaqësues institucionesh dhe një panair biznesesh ku do të prezantohen kompani shqiptare nga treva të ndryshme.
Pjesë e programit do të jetë edhe darka solemne e 15 majit, e konceptuar si mbrëmje ekskluzive për rrjetëzim dhe lidhje të reja biznesore.
Ndërsa të nesërmen, pjesëmarrësit do të zhvillojnë vizita tek prodhues vendorë në Kosovë, me synim forcimin e bashkëpunimit mes ekonomisë vendore dhe diasporës shqiptare.
Ftesa është bërë nga Omer Nura, Kryetar i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, dhe Shkelzen Jusaj, President i Komunitetit të Bizneseve Kosovaro-Gjermano-Zvicerane (KGS).