KEK-u certifikohet me ISO 9001:2015, hap i rëndësishëm drejt modernizimit dhe rritjes së cilësisë
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka arritur një tjetër sukses në kuadër të reformave për modernizim dhe përmirësim të performancës, duke u certifikuar me standardin ndërkombëtar ISO 9001:2015 për Menaxhimin e Cilësisë.
Ky certifikim dëshmon përkushtimin e korporatës për ndërtimin dhe zbatimin e sistemeve të avancuara menaxheriale, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Procesi i certifikimit, i nisur më 1 shtator 2025 dhe i finalizuar pas një auditimi të jashtëm, konfirmon se KEK tashmë operon mbi baza të qëndrueshme të cilësisë, efikasitetit dhe përmirësimit të vazhdueshëm.
Certifikata, e vlefshme deri më 29 prill 2029, përfshin aktivitetet kryesore të ndërmarrjes, si menaxhimi, administrimi dhe operimi i termocentraleve dhe minierave të qymyrit. Kjo e pozicionon KEK-un në një nivel më të lartë besueshmërie dhe performance në sektorin energjetik.
Sipas njoftimit, ky rezultat është arritur falë angazhimit të stafit dhe bashkëpunimit ndërmjet njësive organizative, duke reflektuar profesionalizëm gjatë gjithë procesit të certifikimit.
Certifikimi me ISO 9001:2015 konsiderohet një hap i rëndësishëm në transformimin e KEK-ut në një korporatë moderne, efikase dhe të harmonizuar me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.