Rama fton amerikanët të investojnë në Prishtinë, përmend një miliard euro investime
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në hapjen e konferencës “American Investor Conference – Prishtina 2026” tha se nga kryeqyteti po prezantohen nëntë projekte strategjike të gatshme për investim, me një potencial që tejkalon një miliard euro.
“Përtej projekteve, ofrojmë një forcë punëtore të motivuar dhe të re me aftësi të njohjes së shumë gjuhëve dhe gjithashtu ofrojmë kosto operative të ulëta, me 10% taksë korporative dhe pa taksë në dividend. Gjithashtu një lokacion strategjik në qendër të Evropës Juglindore me 20 milionë… zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik me 5% rritje të GDP-së, si dhe zotim ndaj transparencës dhe lehtësi në të bërit biznes. Mirëpo, sentimenti më i mrekullueshëm, më i madh i Prishtinës është që nuk mund të shpjegohet dhe shprehet me numra. Është shpirti, fryma e qëndrueshmërisë, kreativitetit, historisë që shtyn sipërmarrësit tanë të rinj dhe të qenit hapur ndaj partneriteteve, që u uron mirëseardhjen investitorëve amerikanë si bashkëpunëtorë të vërtetë”, tha ai.
Rama tha se organizimi i kësaj konference po bëhet në një moment kyç meqë Prishtina po përgatitet për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, duke investuar në turizëm, infrastrukturë sportive dhe zgjidhje të qyteteve “smart”.
Ai tha se po fokusohen në sektorë që përcaktojnë të ardhmen e Prishtinës, duke përfshirë zhvillimin urban, hapësirat vibrante, infrastruktura e gjelbër dhe sisteme të qëndrueshme moderne.
“Më duhet të shtoj që investitorët amerikanë janë të mirëpritur dhe të mirëseardhur, dhe gjithashtu investitorët ndërkombëtarë e lokalë-vendosë janë gjithashtu të mirëpritur. Në ditët e ardhshme ju inkurajoj që të angazhoheni, që të merrni pjesë në diskutime paneli dhe të bëni takime B2B dhe për ta eksploruar portfolion tonë në hollësi”, ka thënë i pari i kryeqytetit.