KEK-u rikthen në funksion elektrofiltrat në Kosova A pas defektit teknik
Foto: Laura Hasani

KEK-u rikthen në funksion elektrofiltrat në Kosova A pas defektit teknik

Ekonomia April 25, 2026 - 22:03

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se është rikthyer në normalitet funksionimi i elektrofiltrave në Termocentralin Kosova A, pas një ndërprerjeje të përkohshme teknike.

Sipas njoftimit të KEK-ut në Facebook, problemi ishte shkaktuar nga një defekt në qarkun elektrik të ndërprerësve të kompresorëve të ajrit me automatizëm, por situata është menaxhuar dhe zgjidhur me sukses nga stafi teknik.

KEK-u thekson se falë reagimit të shpejtë dhe angazhimit profesional të ekipit, janë kryer të gjitha ndërhyrjet e nevojshme për stabilizimin e sistemit, duke rikthyer funksionimin normal të elektrofiltrave.

Gjatë periudhës së ndërprerjes, sipas kompanisë, janë zbatuar masa operative dhe parandaluese për mbrojtjen e aseteve dhe për menaxhimin e situatës në përputhje me standardet teknike dhe mjedisore.

Korporata ka shprehur mirënjohje për stafin e Termocentralit “Kosova A” dhe ka ritheksuar angazhimin për operim të sigurt, transparent dhe të qëndrueshëm.