Gati 70% më shumë denoncime, ATK-ja intensifikon luftën kundër evazionit tatimor
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar për një rritje të ndjeshme të denoncimeve nga qytetarët dhe për intensifikim të aktiviteteve në terren në kuadër të luftimit të ekonomisë joformale dhe rritjes së disiplinës tatimore.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës raportuese janë pranuar gjithsej 924 denoncime, që përbën një rritje prej 67.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Këto denoncime kanë shërbyer si bazë për zhvillimin e aktiviteteve inspektuese dhe verifikuese nga autoritetet tatimore.
Si rezultat i këtyre veprimeve, ATK-ja ka shqiptuar 269 gjoba, me një vlerë totale prej rreth 130 mijë eurosh.
Po ashtu, aktivitetet në terren kanë ndikuar në rritjen e transparencës financiare, ku janë deklaruar rreth 396 mijë euro qarkullim dhe mbi 29 mijë euro Tatim mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Në aspektin social, veprimet e ndërmarra kanë kontribuuar edhe në formalizimin e tregut të punës, me regjistrimin e 76 punëtorëve.
ATK-ja ka bërë thirrje që qytetarët të vazhdojnë të raportojnë parregullsitë përmes kanaleve zyrtare, duke theksuar se bashkëpunimi i tyre mbetet kyç në luftën kundër evazionit tatimor dhe ekonomisë joformale. /Zëri