Publikohet pasuria e Ramiz Lladrovcit, mbi 100 mijë euro kursime dhe prona të shumta
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar deklarimin vjetor të pasurisë së kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ku evidentohet një portofol i gjerë pasurish të paluajtshme dhe kursime të konsiderueshme bankare.
Sipas deklarimit, Lladrovci posedon disa prona, duke përfshirë një shtëpi prej 480 m² të trashëguar (150 mijë euro), banesa dhe sipërfaqe të mëdha toke që kapin dhjetëra mijëra metra katrorë, me vlera që arrijnë deri në mbi 180 mijë euro për një parcelë.
Në deklarim figurojnë edhe dy banesa në pronësi të tij, njëra 38 m² (40 mijë euro) dhe tjetra 149 m² (105 mijë euro), si dhe disa toka të blera ndër vite me kursime familjare, bashkëfinancime dhe huazime.
Sa u përket mjeteve financiare, ai ka deklaruar mbi 115 mijë euro kursime në bankë, si dhe mjete të tjera më të vogla në llogari të ndryshme.
Në pasuritë e luajtshme, Lladrovci ka deklaruar disa vetura, duke përfshirë një Audi (40.500 euro), Mercedes-Benz (15 mijë euro) dhe Volkswagen, ndërsa një pjesë e automjeteve janë në emër të fëmijëve.
Deklarimi përfshin edhe angazhime në kompani në emër të familjarëve, si dhe huazime të ndryshme financiare që arrijnë në mbi 100 mijë euro.
Të ardhurat vjetore të tij nga paga si kryetar komune arrijnë në rreth 18 mijë euro, ndërsa të ardhura shtesë janë deklaruar edhe nga bashkëshortja dhe fëmijët përmes aktiviteteve të ndryshme profesionale.
Deklarimin e plotë mund ta gjeni KETU