Nis monitorimi i çmimit të karburanteve në Kosovë
Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka filluar monitorimin e tregut për shitjen e karburanteve.
Sipas tyre, kjo po bëhet me qëllim që të parandalohen abuzimi me çmimet, duke marrë parasysh rritjen e menjëhershme pas konflikteve në Lindjen e Mesme, raporton Zeri.info.
“Çdo marrëveshje, bashkërendim ose veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve, që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut ose kufizimin e konkurrencës, përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe është subjekt i sanksioneve ligjore”, thuhet në njoftim.
Autoriteti i Konkurrencës u bën thirrje bizneseve të veprojnë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme, të shmangin çdo formë të bashkërendimit të çmimeve me operatorë të tjerë, të tregojnë përgjegjësi sociale ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve, veçanërisht në këtë periudhë të zhvillimeve ekonomike dhe gjeopolitike. /Zëri