ZRRE: Konsumatorët familjarë kanë të drejtë ligjore ta zgjedhin furnizuesin e vet të rrymës
Foto: Laura Hasani

ZRRE: Konsumatorët familjarë kanë të drejtë ligjore ta zgjedhin furnizuesin e vet të rrymës

Ekonomia February 10, 2026 - 13:52

Familjet kosovare marrin rrymë veç nga një kompani. Por edhe të tjera mund të hyjnë në garë për furnizimin e tyre me energji elektrike.

Përveç bizneseve, ekziston mundësia që edhe qytetarët të dalin në tregun e lirë të energjisë.

Që secili konsumator të ketë të drejtë ta zgjedhë vetë furnizuesin e tij e përkrahin edhe nga Instituti për Politika Zhvillimore.

Nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) janë përgjigjur për Klan Kosova, nëse kjo mund të ndodhë dhe si funksionon.

Kjo e drejtë, sipas ZRRE-së, ekziston për të gjithë konsumatorët dhe mund të ushtrohet në çdo kohë.

Por, për këtë duhet të plotësohen kushtet e tregut dhe marrëveshjet kontraktuale.

“Konsumatorët familjarë, pavarësisht se aktualisht furnizohen në kuadër të shërbimit universal dhe përfitojnë nga rregullimi tarifor, kanë të drejtë ligjore të zgjedhin furnizuesin e tyre të energjisë elektrike. Kjo e drejtë ekziston në mënyrë të barabartë për të gjithë konsumatorët dhe mund të ushtrohet në çdo kohë, në përputhje me kushtet e tregut dhe marrëveshjet kontraktuale përkatëse”.

Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është i paraparë me kornizën ligjore në fuqi dhe me obligimet që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Në këtë kuptim, funksionimi i tregut bazohet në parimin e hapjes së tregut dhe të drejtës së konsumatorëve për zgjedhje të lirë, njoftoi tutje ZRRE-ja.