ZRRE-ja e Misioni i FMN-së flasin për liberalizimin e tregut të energjisë
Foto: Facebook

ZRRE-ja e Misioni i FMN-së flasin për liberalizimin e tregut të energjisë

Ekonomia February 05, 2026 - 13:50

Bordi i ZRRE-së ka mbajtur takim me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) gjatë vizitës së këtij Misioni në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, gjatë takimit u diskutuan zhvillimet kryesore në sektorin e energjisë elektrike, me fokus në, projektet energjetike dhe proceset rregullatore tarifore.

ZRRE-ja prezantoi progresin e fazave të liberalizimit të tregut, duke theksuar se, pavarësisht sfidave dhe shtyrjeve, faza e parë po zbatohet me sukses dhe se procesi do të vazhdojë në mënyrë graduale dhe të qëndrueshme, në përputhje me kornizën ligjore dhe parimet e tregut të hapur. Po ashtu, u diskutua për zhvillimin e projekteve të energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe për investimet në rrjetin e transmisionit dhe shpërndarjes, me qëllim të integrimit të sigurt të këtyre kapaciteteve në sistemin elektroenergjetik.

Në kuadër të shqyrtimeve tarifore, u trajtua ndikimi i kostove operative, vjetërsisë së rrjetit, humbjeve teknike dhe rënieve të blloqeve gjeneruese në tarifat e energjisë elektrike.

ZRRE-ja ka ritheksuar rolin e saj si institucion i pavarur rregullator në garantimin e stabilitetit rregullator dhe sigurisë ligjore, si faktorë kyç për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve, si dhe përkushtimin për bashkëpunim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.