Mërgimtari shpëton delen balushë nga zhdukja
Një deklaratë e kinologut dhe mjekut veteriner Muhamet Nikci, e dhënë rreth tre vite më parë në një emision, u bë shtysë që bashkatdhetari ynë, Zijadin Avdimetaj, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, të investojë në ndërtimin e një stalle dhe në mbarështimin e deles balushë në Strellc të Komunës së Deçanit, me qëllim ruajtjen e kësaj race autoktone nga zhdukja.
Shefqet Avdimetaj nga kjo familje i cili jeton dhe vepron në Norvegji thoit se aktualisht familja mbarështon rreth 300 dele dhe mbi 200 qengja të deles balushë.
“Vendosëm të investojmë seriozisht në këtë racë, sepse është pjesë e trashëgimisë sonë dhe ishte në rrezik zhdukjeje,” shprehet Avdimetaj.
Me mbarështimin e përditshëm merret Naser Avdimetaj, vëllai tjetër, i cili jeton në Kosovë. Ai thekson se familja e tyre është marrë me blegtori për dekada me radhë.
“Pas luftës investimi ishte në lopë dhe delen bardhokë, por kur mësuam se delja balushë ishte në zhdukje, vendosëm ta mbarështojmë,” thotë ai për RTK.
Sipas tij, balusha kërkon më shumë përkujdesje dhe prodhon më pak qumësht se bardhoka, por ka vlera të mëdha gjenetike dhe kulturore. Familja i mbarështon delet gjashtë muaj në bjeshkë dhe gjashtë muaj në stallë, ndërsa ushqimi u jepet dy herë në ditë.
“Sot ka shumë më pak bagëti në bjeshkë se dikur, gjë që është shqetësuese,” shprehet Naseri.
Sa i përket sëmundjeve, ai përmend metilin dhe brymosjen, ndërsa për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, balusha mbarështohet kryesisht për qengja. Çmimin e shitjes e vlerëson të mirë, por problem mbetet mungesa e tregjeve të mëdha.
“Stallat dhe gjedhet janë investime vetanake të vëllait që jeton në Zvicër, ndërsa nga grantet nuk kemi përfituar asnjëherë,” shton ai.
Në vizitë ishte edhe kinologu dhe mjeku veteriner Muhamet Nikci, i cili ka kontribuar në standardizimin e deles balushë si racë autoktone.
“Përkundër ligjit që nga viti 2014 për mbrojtjen e racave autoktone, ende nuk ka filluar procesi serioz i ristandardizimit të tyre,” deklaron Nikci për emisionin ‘Toka” në RTK.
Ai thekson se numri i deles balushë është rritur ndjeshëm.
“Sot kjo racë nuk rrezikohet më nga zhdukja dhe mund të kalojë në kategorinë e racës së qëndrueshme,” shprehet ai, duke nënvizuar rëndësinë etnologjike, kulturore dhe ekonomike të racave autoktone.
Krahas deleve, familja Avdimetaj mbarështon edhe rreth 90 lopë të racës simental për prodhim qumështi, për të cilat shitja është e garantuar dhe çmimi i kënaqshëm.
Në fund, Shefqet Avdimetaj falënderon vëllain e tij në Zvicër dhe u bën thirrje bashkatdhetarëve të tjerë të investojnë në Kosovë.
“Kontributi i mërgatës është vendimtar për zhvillimin e blegtorisë dhe ruajtjen e pasurisë sonë autoktone,” përfundon ai.