Azemi për gjendjen në sektorin privat: Punëtorët punojnë jashtë orarit, edhe gjatë natës e nuk paguhen
Punëtorët në sektorin privat po vazhdojnë të përballen me shumë padrejtësi, e me mosrespektim të gjërave nga më elemtaret.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, në një intervistë për Ekonomia Online ka renditur sfidat me të cilat po përballen punëtorët në sektorin privat, duke theksuar se pavarësisht disa përmirësimeve në paga, shkeljet e të drejtave të punëtorëve dhe mungesa e përkrahjes institucionale mbeten shqetësuese.
“Duhet të themi diçka për punëtorët, aty nuk kemi të bëjmë aspak me qeverinë dhe kuvendet komunale, aty gjendja është shumë më e mirë. Ndërsa te kompanitë private, në raste të rralla kemi paga nën 400 euro. Gjendja është e mirë, por jo e mjaftueshme. Kemi probleme sepse punëtorët punojnë jashtë orarit të punës, punojnë edhe gjatë natës dhe nuk paguhen. Punëtorët e sektorit privat, pjesa dërmuese, gjatë javës punojnë gjashtë ditë, ndërsa dita e gjashtë nuk u kompensohet”, ka deklaruar Azemi.
Ai ka tha se përveç kushteve të vështira të punës, punëtorët përballen edhe me probleme të shumta shëndetësore dhe mungesë të mbështetjes institucionale.
“Normalisht se kemi probleme me çështje shëndetësore dhe probleme të tjera, që janë një mal me probleme. Por megjithatë, paramendojeni që ne nuk kemi qeveri dhe institucione të tjera dhe shpeshherë nuk kemi kujt t’i drejtohemi për problemet që kemi”, është shprehur ai.
Azemi ka kritikuar edhe mungesën e angazhimit të qeverive të deritanishme ndaj sektorit privat, duke e lidhur këtë me trendin e lartë të emigrimit nga Kosova.
“Së pari, qeveria e re, po themi shpresojmë që të bëhet ajo qeveri, kushdo qoftë, nuk është me rëndësi, por ne tani më shumë e kemi problemin se si do të bëhet qeveria sesa me problemet tona. Sepse edhe në të kaluarën, në mandatin e kësaj qeverie, absolutisht nuk është marrë fare me problemet e sektorit privat të Kosovës. Vetë fakti që nga viti 2020 e deri në fund të vitit 2025 kemi mbi 400 mijë të ikur nga Kosova, të bën me dije që po të kishte qenë mirë, së paku ky numër do të ishte shumë më i vogël. Ne e kuptojmë që në gjithë botën bëhen ndryshime dhe lëkundje të vendeve të punës dhe njerëzit ikin në vende të tjera, por megjithatë, në një vend kaq të vogël, me një ikje kaq të madhe, mjafton që edhe 5–6 vite të vazhdojë kjo ikje dhe pastaj Kosova mbetet me njerëz të moshës mbi 60 vjeç”, tha Azemi.