Ndalet përkohësisht njësia A3, stabiliteti energjetik mbetet i garantuar
Foto: Laura Hasani

Ndalet përkohësisht njësia A3, stabiliteti energjetik mbetet i garantuar

Ekonomia January 17, 2026 - 00:17

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 18:40 ka vepruar releja mekanike e Buchholz-it e bllok-transformatorit energjetik 15.75/220 kV, 240 MVA, si pasojë e së cilës Njësia A3 është ndalur përkohësisht nga operimi, në përputhje me standardet dhe parametrat e sigurisë teknike.

Sipas njoftimit, ekipet profesionale dhe teknike të KEK sh.a. janë duke kryer verifikimet dhe kontrollimet e nevojshme për të identifikuar shkakun dhe për të ndërmarrë masat e duhura për sanimin e situatës, në përputhje me procedurat teknike operative.

KEK sh.a. ka sqaruar se operimi i sistemit elektroenergjetik po vazhdon në mënyrë të qëndrueshme dhe të kontrolluar, pasi aktualisht janë në funksion katër njësi gjeneruese: A4, A5, B1 dhe B2, në përputhje me planin e prodhimit dhe bilancin energjetik të aprovuar.

Tutje, bëhet e ditur se njësia e pestë aktivizohet sipas nevojës dhe parametrave teknikë, me qëllim të adresimit të rritjes së konsumit, pa cenuar stabilitetin dhe sigurinë operative.

Në fund, KEK sh.a. ka falënderuar stafin teknik dhe punonjësit për reagimin profesional dhe angazhimin e vazhdueshëm në garantimin e operimit të sigurt dhe të besueshëm të kapaciteteve prodhuese.