Ndryshimet klimatike, presion mbi bujqësinë dhe blegtorinë
Foto: Laura Hasani

Ndryshimet klimatike, presion mbi bujqësinë dhe blegtorinë

Ekonomia January 15, 2026 - 08:35

Ndryshimet klimatike po ndikojnë gjithnjë e më shumë në prodhimin e bimëve foragjere dhe në sektorin e blegtorisë, duke ulur rendimentin, cilësinë dhe duke rritur rrezikun e sëmundjeve.

Ky ishte edhe thelbi i diskutimeve në konferencën me temë “Biosiguria, ndryshimet klimatike dhe perspektiva e zhvillimit të sektorit të qumështit”, e organizuar nga Shoqata e Prodhuesve të Qumështit në partneritet me AgroDev.

Profesori Nazmi Hasanaj, eksperimentues i farërave të kulturave lavërtare i cili prej vitesh merret me studimin dhe testimin e farërave në vendin tonë, thotë se rritja e temperaturave shkakton stres termik te bimët, çka ndikon drejtpërdrejt në uljen e rendimentit dhe të cilësisë së prodhimit

Sipas tij, ngritja e temperaturave çrregullon proceset metabolike të bimës, të cilat manifestohen me rënie të aktivitetit jetësor dhe të prodhimtarisë.

“Ndikimi i ndryshimeve klimatike në prodhim nuk është i vogël. Te disa kultura bujqësore, në kushte ekstreme, mund të vijë deri te steriliteti i përgjithshëm i bimës,” thekson Hasanaj.

Krahas ndikimit në bimët foragjere, temperaturat e larta po reflektohen edhe në sektorin e blegtorisë. Eksperti nga Shqipëria, Petrit Dobi, profesor i asociuar në Fakultetin e Bujqësisë, thotë se të nxehtit e madh ndikon në uljen e prodhimit të qumështit, në riprodhim dhe në shtimin e sëmundjeve te kafshët.

“Përballja me këto ndryshime kërkon masa konkrete teknike në stalla. Ajrosja e mirë dhe përzgjedhja e racave të përshtatshme të gjedheve janë elemente bazike”, tha Dobi.

Ai sugjeron edhe ndryshimin e strukturës së bimëve foragjere, duke u orientuar drejt kulturave me qëndrueshmëri më të lartë ndaj nxehtësisë.

“Një nga këto kultura është jonxha, e cila ka rezistencë të mirë ndaj temperaturave të larta, por fatkeqësisht vitet e fundit është pakësuar ndjeshëm në kultivim në vendin tonë”, shprehet ai.

Sipas Dobit, strategji tjetër e rëndësishme për përballjen me ndryshimet klimatike është edhe mënyra e të ushqyerit të kafshëve, si dhe përdorimi i teknologjive digjitale për menaxhim më efikas.

“Ashtu si te bimët, edhe te kafshët, nëse ndryshimet klimatike nuk menaxhohen në mënyrë profesionale, prodhimtaria mund të ulet ndjeshëm", thotë ai.

I pyetur lidhur me iniciativat globale për uljen e numrit të gjedheve për shkak të ndikimit të tyre në ndryshimet klimatike, Dobi shprehet skeptik.

“Kjo është një e vërtetë që shpesh përdoret për spekulime. Ka shumë faktorë të tjerë në nivel global që kanë ndikim shumë më negativ në klimë sesa blegtoria”, vlerëson Dobi.

Ndryshimet klimatike po ndikojnë edhe në rritjen e sëmundjeve. Profesori Kurtesh Sherifi, nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë në Prishtinë, thotë se këto ndryshime kanë sjellë edhe sëmundje e insekte të reja në vend.

“Përveç rritjes së sëmundjeve ekzistuese, tashmë po përballemi edhe me insekte të reja, përfshirë një lloj mushkonje që në të ardhmen mund të bartë sëmundje edhe te njerëzit,” tha Sherifi.

Ai thekson se, edhe pse situata aktualisht nuk është alarmante, masat parandaluese janë të domosdoshme.

“Fermerët duhet të rrisin nivelin e biosigurisë dhe kontrollin e insekteve në ferma, ndërsa institucionet duhet të shtojnë inspektimet dhe testimet e rregullta”, porosit Sherifi.

Se ndryshimet klimatike tashmë kanë dhënë efekt negativ në prodhimtarinë e bimëve foragjere dhe në prodhimin e qumështit, e konfirmon edhe Naser Bajraktari, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit në Kosovë.

“Për t’u përballur më mirë me këtë situatë, fillimisht jemi angazhuar në trajnimin e fermerëve”, thotë Bajraktari.

Masat për përballje më profesionale po ndërmerren edhe nga Ministria e Bujqësisë.

Ministri në detyrë, Imri Demelezi, thotë se një nga hapat e parë është subvencionimi i bimëve mjaltëdhënëse, pasi ndryshimet klimatike kanë ndikuar edhe në pakësimin e ushqimit për bletët.

“Segment tjetër i rëndësishëm janë farat cilësore dhe plehrat që tashmë përdoren në vendet e Bashkimit Evropian”, thekson Demelezi.

Sipas tij, ministria planifikon të investojë edhe në pajisje teknike për matjen e temperaturës dhe lagështisë, të cilat do të instalohen në mbarë Kosovën.

“Grantet dhe skemat mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë kanë për qëllim parandalimin dhe zbutjen e ndikimit të ndryshimeve klimatike te fermerët”, përfundon Demelezi. /rtk