Rritet numri i vizitorëve në hotele

Rritet numri i vizitorëve në hotele

Ekonomia January 08, 2026 - 15:58

Numri i vizitorëve në hotele në Kosovë ka shënuar rritje gjatë muajit nëntor 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në nëntor 2025 janë regjistruar gjithsej 57 548 vizitorë vendorë dhe të huaj, që përbën një rritje prej 2,7 për qind krahasuar me nëntorin 2024, kur ishin evidentuar 56 027 vizitorë.

Nga numri i përgjithshëm i vizitorëve, 42,8 për qind ishin vendorë, ndërsa 57,1 për qind të huaj. Po ashtu, numri i net-qëndrimeve në hotele ka arritur në 120 210, prej të cilave 50,3 për qind janë realizuar nga vizitorët vendorë dhe 49,7 për qind nga vizitorët e huaj, transmeton Zeri.info.

Vizitorët vendorë sipas rajoneve

Rajoni i Pejës vazhdon të prijë për nga numri i vizitorëve vendorë, me gjithsej 7 140 vizitorë dhe 25 108 net-qëndrime gjatë nëntorit 2025. Pas Pejës renditen rajonet e Prizrenit dhe Prishtinës, ku veçmas Prishtina ka shënuar rritje të ndjeshme si në numrin e vizitorëve vendorë ashtu edhe në net-qëndrime, krahasuar me nëntorin e vitit 2024.

Në disa rajone të tjera, si Gjakova, Gjilani dhe Mitrovica, është vërejtur rënie e lehtë e numrit të vizitorëve vendorë dhe e net-qëndrimeve të tyre, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Rritje e vizitorëve të huaj

Sa i përket vizitorëve të huaj, në nëntor 2025 janë regjistruar gjithsej 32 909 vizitorë, që paraqet rritje prej 2,1 për qind krahasuar me nëntorin 2024. Edhe net-qëndrimet e vizitorëve të huaj kanë shënuar rritje të lehtë, duke arritur në 59 757 net-qëndrime.

Numri më i madh i vizitorëve të huaj ka ardhur nga Shqipëria, Turqia, Zvicra dhe Gjermania. Veçanërisht është vërejtur rritje e dukshme e vizitorëve nga Turqia dhe Zvicra, si në numrin e vizitorëve ashtu edhe në net-qëndrime, krahasuar me një vit më parë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, këto të dhëna dëshmojnë një trend pozitiv të sektorit të hotelerisë gjatë muajit nëntor 2025, duke reflektuar rritje të interesimit si nga vizitorët vendorë ashtu edhe nga ata ndërkombëtarë. Për më shumë informata rreth Statistikave të Hotelerisë për këtë periudhë, qytetarët mund t’i referohen publikimeve zyrtare të ASK-së./Zëri