Luftimi i korrupsionit, 120 kallëzime penale nga AKP-ja për shkelje ligjore nga zyrtarët publikë
Numri i kallëzimeve penale nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit gjatë vitit 2025, ka tejkaluar qindëshen e parë. Në anën tjetër, po kritikohet zvarritja e trajtimit të lëndëve të korrupsionit që arrijnë në Gjykata.
Gjatë këtij viti, nisi rigjykimi i njërit prej rasteve më të mëdha të korrupsionit, në nivel qeveritar, i ndodhur tetë vite më parë.
Të akuzuarit në rastin e njohur si “53 milionëshi”, iu kthyen seancave pasi u rrëzua nga Apeli vendimi i shkallës së parë të gjyqësorit, që i dënonte me 10 vjet bashkë, Pal Lekaj, Nebih Shatri, Besim Tahiri dhe Eset Berisha.
Fatin e njëjtë të gjykimit, nuk e patën raste të tjera të korrupsionit. Kjo sipas Anton Nrecaj, si shkak i parashkrimit të lëndëve.
“Parashkrimi është një nga sëmundjet më të mëdha të sistemit të drejtësisë, sëmundje të cilën duhet evituar dhe në kuadër të kësaj sigurisht se do duhej të kishte llogaridhënie nga sistemi i drejtësisë, në këtë rast nga Gjykatat dhe gjyqtarët e caktuar në lëndë se pse lejojnë që rastet e korrupsionit të parashkruhen”, tha Nrecaj.
Dosje me potencial të kryerjes së veprës penale të korrupsionit, deponon çdo vit edhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.
Vetëm gjatë 2025-tës, numri i këtyre dosjeve ka arritur në vlera treshifrore.
“Ka plot raste që kemi dërguar në organet e tjera të ndjekjes, si fazë pasuese e hetimeve të Agjencisë. Kemi pasur më shumë se 120 kallëzime penale të dërguara këtë vit. Kemi pasur raste të tjera të përcjellura qoftë tek Administrata Tatimore për shkelje potenciale tatimore, qoftë tek institucionet tjera që mund të hetojnë shkelje të ndryshme, dhe njësite të standardeve, që ka pasur identifikim të ndonjë shkelje të ndonjë standardi qofshin të ndonjë sistemi doganor ose sistemi policor të Kosovës”, deklaroi drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj.
Drejtori i kësaj Agjencie, jep detaje se cilat profile të zyrtarëve publik janë subjekt i këtyre shkeljeve.
“Ka ndonjë deputet, por nuk ka nivel të zëvendësministrit e ministrit apo të udhëheqësve kryesor të vendit. Ka nivele të tjera. Më së shumti zyrtarë nga Policia e Kosovës, për shkak të lëshimeve në deklarim të pasurisë”.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, këtë javë është duke zhvilluar disa aktivitete në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit. /Teve1