Ferizaj përgatitet për reshjet, fermerët e mirëpresin projektin
Për shkak të vërshimeve të mundshme, Komuna e Ferizajt ka nisur pastrimin e shtretërve të lumenjve, në mënyrë që të mos ketë dëme nga vërshimet. Fermerët, që kryesisht preken nga to, e kanë mirëpritur këtë veprim.Në kuadër të masave të parandalimit të vërshimeve, mbrojtjen e ekonomive familjare dhe mbrojtjen e kulturave bujqësore, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Ferizaj po realizon projektin e pastrimit të shtretërve të lumenjve dhe hapjen e kanaleve kulluese ujore pranë tokave bujqësore.
“E kemi filluar në të gjitha ato vende ku është më e kërkuar dhe ku gjendja e kanaleve të ujërave atmosferik është më problematike. Kemi filluar nga fshati Talinovc dhe Sazli, kemi punuar javën e kaluar edhe në fshatin Nekodim. Qëllimi kryesor është që të mos i marrë arat dhe fermerët që punojnë tokën të mos humbin të mbjellat e tyre, sepse kjo është një punë jashtëzakonisht e madhe. Deri sa të mbjellën arat, ne do ta kemi si qëllim të krijojmë kushte sa më të mira për të gjithë qytetarët, dhe sidomos për fermerët që kjo lidhet drejtpërdrejt me punën e tyre”, theksoi Alberton Sahiti, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Ferizaj.
Fermeri Bejtush Islami, i cili ka mbi 50 hektarë të mbjella, thotë se ky projekt siguron që të mbjellat e tyre të mos përmbyten gjatë reshjeve atmosferike.
“Hapja e këtyre kanaleve ndikon shumë tek ne fermerët. Na ndihmon shumë, për shkak të ujërave dhe vërshimeve që çdo vit i marrin arat. Ky vit është i mirëseardhur për këtë kanal. Vitet e kaluara kemi pasur dëme të mëdha nga vërshimet. Tash është më lehtë; është një lloj sigurie shumë e mirë me hapjen e kanalit”, tha Islami.
Hapja e kanaleve kulluese do të vazhdojë edhe në pjesë të tjera të komunës së Ferizajt./rtk