Komuna e Prishtinës: Ministria e Financave ende nuk i ka alokuar mjetet
Foto: Laura Hasani

Komuna e Prishtinës: Ministria e Financave ende nuk i ka alokuar mjetet

Ekonomia December 02, 2025 - 10:00

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur të martën në mëngjes se ende nuk janë alokuar 28 milionë eurot nga Ministria e Financave, si të hyra vetanake të Komunës, për të cilat u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme të enjten.

“Ju njoftojmë se më 27 nëntor 2025, Asambleja Komunale e Prishtinës ka miratuar vendimin për bartjen e mjeteve buxhetore nga viti 2024. Megjithatë, deri sot, më 02 dhjetor 2025, mjetet financiare ende nuk janë bartur nga Ministria e Financave në buxhetin e Komunës së Prishtinës. Në momentin që mjetet alokohen në buxhetin e Komunës së Prishtinës, qytetarët do të informohen menjëherë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës, shkruan Zeri.info.

Një ditë më parë Lëvizja Vetëvendosje në kryeqytet u shpreh se MF-ja e ka kryer transferimin.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka thënë se Ministria e Financave përmes Thesarit ia ka transferuar Komunës së Prishtinës 28 milionë eurot nga të hyra vetanake të Komunës, për të cilat të enjten u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme.

Ai për teve1.info ka thënë se Komuna që nesër mundet t’i shfrytëzojë këto mjete.

“Ministria e Financave e ka kryer punën, Thesari i ka transferuar mjetet. Nesër mundet Komuna e Prishtinës t’i shfrytëzojë”, ka thënë Sveçla.

Të enjten e 27 nëntorit përmes një mbledhjeje të jashtëzakonshme u është hapur rrugë bartjes së mjeteve vetanake nga viti 2024 në vitin 2025 që kapin vlerën e 28 milionë eurove.

Për votuan 38 asamblistë e një abstenoi.

Për të njëjtat mjete, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në mbledhje tha se pret që po atë ditë Ministria e Financave t’i bartë mjetet.

Kjo do t’i hapë rrugës pagesave të faturave të pashlyera të Komunës së Prishtinës dhe fundit të grevës nga Trafiku Urban. Transportuesit publikë kanë protestuar tash e sa ditë shkaku i borxheve nga komuna. E komuna fajësonte Ministrinë e Financave për bllokim. /Zëri