Buxheti i Prishtinës, Murati: Nuk qëndroi në sirtar, duhej verifikuar
Kanë vazhduar reagimet e kundër-reagimet mes ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, me nënkryetaren e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Ishte Murati i pari që akuzoi LDK-në se po refuzon të miratojë buxhetin për komunën e Prishtinës, për të cilin, sipas tij, kjo parti ishte ankuar deri dje.
Menjëherë atij iu përgjigj nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami e cila e akuzoi ministrin në detyrë që kishte mbajtur buxhetin e komunës së Prishtinës 46 ditë në sirtar e nuk e ka përcjellë për aprovim në Kuvend
Por, ndaj këtyre deklaratave të Bajramit, ka reaguar Murati, duke thënë se buxheti i Prishtinës nuk e ka kaluar asnjë ditë në sirtar, por sikurse çdo buxhet tjetër, sipas tij, materiali fillimisht verifikohet nëse është në përputhje me legjislacionin nga Departamenti i Buxhetit në MFPT, e pastaj përcillet për miratim në Qeveri e Kuvend.
“Me logjikën tënde, edhe vetë Përparimi e paska mbajtur në sirtar buxhetin nga data 9 dhjetor deri me datën 17 dhjetor, apo jo?”, i thotë Murati Bajramit.
Ai ka thënë se materiali është dorëzuar në kohën e festave të fundvitit. “Dhe gati gjysma e ditëve që paske numëruar ose kanë qenë festa zyrtare ose janë ditë fundjave”, ka vijuar reagimin ndaj Bajramit, ministri në detyrë Murati.
Sipas tij, problemi nuk është tek procedurat standarde, por tek vonesa përtej afatit ligjor që, sipas tij, ishte 30 shtatori.
“E madje vonesa ka qenë edhe përtej datës kur ishte miratuar Ligji i Buxhetit në lexim të dytë, me 22 nëntor. Por, e gjitha kjo është e shkuara. Pse nuk po e miratoni tash buxhetin e Prishtinës për vitin 2025 Hykmete? Arsyetimi me Komisionet Parlamentare nuk qëndron. Mund të formohen vetëm Komisionet e Përhershme, për buxhet, legjislacion, integrime, dhe të drejta të komuniteteve”, ka thënë Murati.
Sipas tij, këto komisione mjaftojnë të trajtohen edhe Buxheti për 2025 për tri komunat, edhe Ligji i Buxhetit 2026, e edhe buxheti për RTK-në.