
Tradita që jeton në zemër të Bjeshkëve të Sharrit
Në një lartësi prej mbi 2000 metrash mbi nivelin e detit, aty ku ajri është më i pastër, zëri i bagëtive kumbon në harmoni me natyrën është ky vendbanimi veror i familjes Balje nga fshati Restelicë, Dragash.
Prej më shumë se 70 vitesh, kjo familje ruan dhe kultivon me fanatizëm një trashëgimi të rrallë blegtorinë si mënyrë jetese, traditë dhe krenari.
Katër muaj të vitit, që nga fillimi i qershorit e deri në fund të shtatorit, familja Balje zhvendoset në bjeshkët e Sharrit, ku jeton në kushte të natyrës së egër, por të bukurisë mahnitëse. Aty, larg zhurmës së qytetit dhe komoditetit modern, ata përkushtohen plotësisht kujdesit për tufat e tyre të dhenve dhe lopëve.
Nuk është e rastësishme që shumë gastronomë dhe kuzhinierë të njohur të Kosovës tashmë janë furnizues besnikë nga familja Balje. Ndër ta është edhe Merita Osaj, menaxhere në fushën e gastronomisë, e cila prej vitesh bën rrugën nga Prizreni për në Restelicë dhe bjeshkët për të siguruar produkte bio për restorantin e saj.
Përveç subvencioneve nga shteti për familjen Balje bizneset janë ato që i motivojnë për të mbajtur gjallë këtë traditë.
Për Meritën, mbështetja e familjes Balje nuk është vetëm çështje biznesi, por një mision për të ruajtur gastronominë tradicionale shqiptare dhe për të promovuar prodhimet e vërteta vendore. Sipas Merites ajo nuk blen vetëm produkte ajo blenë histori, përkushtim dhe besueshmëri.
Rezultatet e këtij përkushtimi janë të dukshme dhe të shijshme, familja Balje prodhon dy lloje djathi tradicional, si dhe mish me receta të trashëguara brez pas brezi. Këto produkte janë jo vetëm të shijshme, por mbi të gjitha 100% natyrale, të prodhuara pa asnjë shtesë industriale.
Në kohën kur shumë të rinj largohen nga fshati dhe traditat po zbehen, familja Balje është dëshmi e gjallë se lidhja me tokën dhe natyrën mund të vazhdojë të jetojë, për aq kohë sa ka njerëz që e çmojnë dhe e ruajnë atë. Dhe për sa kohë ka gastronome si Merita Osaj, që e shohin vlerën në rrënjë dhe jo në ambalazh, kjo trashëgimi do të ketë edhe një të ardhme jo vetëm një të kaluar./rtk