
AKB: Kosova po mbulohet me beton, por po zbrazet nga njerëzit
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për gjendjen kaotike në sektorin e ndërtimit në Kosovë, duke paralajmëruar për pasoja afatgjata në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.
Sipas AKB-së, ndërtimet pa leje po dominojnë tregun, me mbi 75% të objekteve që ndërtohen pa leje banimi, ndërkohë që mbi 180 mijë banesa mbeten të zbrazëta.
Shumica e këtyre banesave janë të blera nga mërgata, por nuk po shfrytëzohen, duke e kthyer ndërtimin në një sektor pa efekt real në zhvillim.
“Po ndërtojmë qytete të zbrazëta, me banesa të pashfrytëzuara, ndërsa rinia largohet çdo ditë”, thuhet në reagimin e AKB-së.
AKB-ja thekson se kjo situatë është pasojë e mungesës së theksuar të politikave zhvillimore dhe planifikimit urban. Kapitali i diasporës, që në vend të investohet në prodhim, eksport dhe krijim të vendeve të punës, po derdhet në pasuri të paluajtshme që nuk gjenerojnë vlerë të shtuar për ekonominë.
“Në vend që të ndërtojmë një ekonomi të qëndrueshme, po krijojmë një iluzion zhvillimi që nuk pasqyron realitetin socio-ekonomik të vendit”, citohet të ketë thëne kryetari i AKB-së, Agim Shahini.
AKB-ja i bën thirrje Qeverisë për veprim urgjent:
Legalizim transparent dhe të kontrolluar të ndërtimeve pa leje;
Vendosje të rregullit në sektorin e ndërtimit dhe tregun e pasurive të paluajtshme;
Orientim të kapitalit të diasporës drejt sektorëve produktivë: prodhim, eksport dhe inovacion;
Hartim të politikave zhvillimore me vizion afatgjatë, që ndalin emigrimin dhe nxisin punësimin;
AKB-ja vlerëson se pa ndërhyrje të menjëhershme, Kosova rrezikon një tronditje financiare dhe humbje të mundësive për zhvillim të qëndrueshëm.
Organizata apelon për përgjegjësi institucionale dhe angazhim serioz në menaxhimin e kapitalit dhe burimeve vendore.