
ZKA: Paratë e taksapaguesve të shpenzohen sipas ligjit
Auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, në konference për media për raportin e auditimit 2024, të cilin, në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, e kanë dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës para datës 31 gusht.
Spanca deklaroi se më ketë synojnë të mbajnë të informuar publikun në mënyrë të vazhdueshme për punën dhe rezultatet e ZKA-së, veçanërisht ato të auditimeve të realizuara gjatë sezonit auditues 2024-2025.
“Sot do t’ju prezantojmë nga afër Rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2024, të cilin, në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, e kemi dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës para datës 31 gusht. Ky raport përfshin opinionin e auditimit mbi Pasqyrat Financiare Vjetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2024, si dhe një përmbledhje të rezultateve kryesore të sezonit auditues 2024/2025. Në këtë konferencë, do të shpalosim gjithashtu rezultatet e auditimeve të performancës të sapo publikuara, auditimeve të pajtueshmërisë si dhe informacione mbi rastet e adresuara në Prokurorinë e Shtetit, për shkak të dyshimit potencial për elemente të veprës penale.
Me përfundimin e këtyre raporteve, Zyra Kombëtare e Auditimit ka realizuar planin vjetor të punës për sezonin 2024/2025, duke përmbyllur gjithsej 127 auditime, prej tyre:
• 87 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë për organizatat buxhetore, 9 auditime në ndërmarrjet publike, 12 auditime të performancës, 12 të pajtueshmërisë (3 të nivelit të klasifikuar të informacionit), si dhe 7 të projekteve të Bankës Botërore, në këto auditime janë identifikuar 945 gjetje, për të cilat kemi dhënë po aq rekomandime. Që nga konferenca e fundit e korrikut 2025 ku kemi raportuar për rezultatet e auditimeve për rreth 100 raporte të auditimit deri me 30 gusht janë publikuar edhe 9 raporte të auditimit të performancës dhe 12 raporte të auditimit të pajtueshmërisë", tha ajo.
Auditimet e publikuara të performancës janë:
1. “Funksionimi, licencimi dhe mbikëqyrja e Institucioneve Parashkollore”;
2. “Mbrojtja, zhvillimi dhe ripërtëritja e hapësirave pyjore”;
3. “Efektiviteti i Sistemit për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve në Kosovë”;
4. “Auditimi përcjellës i rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit të performancës të publikuara gjatë vitit 2019”;
5. “Efikasiteti i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës në ndërtimin e objektit të Klinikës së Ortopedisë”;
6. “Menaxhimi i Fondit për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë”;
7. “Platforma e shërbimeve online e-Kosova”;
8. “Sistemi i Tatimit në Pronë” dhe
9. “Integrimi i Sistemeve, Krijimi i Deponisë së Shënimeve dhe Implementimi i Inteligjencës së Biznesit”.
“Përveç këtyre, në Kuvendin e Kosovës kemi dërguar edhe 3 raporte të auditimeve me informacione të klasifikuar të nivelit të “kufizuar” për Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, të cilat nuk janë publikuar”, ka thënë Spanca.
Ajo shtoi se, për rezultatet e rreth 100 auditimeve të kryera deri me 30 qershor ju kemi informuar në konferencën paraprake.
Spanca po ashtu tha se sa i përket Raportit Vjetor Financiar të Qeverisë për Buxhetin e Republikës së Kosovës, kanë dhënë Opinion të Modifikuar gjegjësisht Opinion të Kualifikuar. Kjo për shkak se vlera e gabimeve në disa komponente të Pasqyrave të konsoliduara Financiare Vjetore për vitin 2024 ka rezultuar materiale.
Çështjet kryesore që kanë ndikuar në këtë opinion janë:
• Klasifikimi jo i duhur i shpenzimeve në vlerë prej 35 milionë euro, prej të cilave mbi 26 milionë në nivel lokal dhe 9 milionë në nivel qendror. Këto gabime lidhen kryesisht me pagesa nga vendime gjyqësore (27 milionë euro), buxhetim jo të përshtatshëm (afër 5 milionë euro) dhe gabime të vetë organizatave buxhetore (rreth 3 milionë euro). Duhet theksuar se rreth 22 milion prej tyre i takojnë pagesave për qëllime të mbulimit të detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja kolektive.
• Mbivlerësimi i pasurive në organizatat buxhetore në shumën afër 27 milionë euro, si pasojë e mospërputhjeve gjatë bashkëfinancimeve dhe regjistrimeve të pasakta.
• Nënvlerësimi i llogarive të arkëtueshme për rreth 900 mijë euro.
• Nënvlerësimi i detyrimeve të papaguara për afër 2 milionë euro.
• Mbivlerësimi i detyrimeve kontingjente nga paditë gjyqësore në vlerë afër 4.3 milionë euro.
Ashtu siç e kanë theksuar edhe më herët, rezultatet e auditimeve individuale tregojnë që veprimet e ndërmarra nga institucionet publike për të përmirësuar cilësinë e raportimit dhe kontrollet e brendshme janë ende të mangëta. Për faktin se edhe opinionet e auditimit për 46 organizata individuale ishin jo të mira, prej të cilave 31 i takojnë nivelit lokal. Poashtu, edhe për ndërmarrjet publike, nga 9 sosh, vetëm Telekomi i Kosovës kishte opinion të pastër.
Kurse sa i përket performancës financiare të buxhetit të shtetit për vitin 2024, auditorja deklaroi se:
• Të hyrat e shtetit arritën mbi 3.2 miliardë euro, që paraqet një rritje prej 368 milionë eurosh ose 13% më shumë se vitin e kaluar.
• Shpenzimet e përgjithshme ishin afër 3.2 miliardë euro, që përfaqëson 88% të buxhetit final për shpenzime, me një rritje prej 270 milionë eurosh krahasuar me vitin paraprak.
• Bilanci bankar, deficiti buxhetor dhe borxhi publik janë mbajtur brenda kufijve ligjorë.
• Viti 2024 është mbyllur me një suficit buxhetor prej 52.8 milionë eurove, ose 0.5% të BPV-së.
Sa i përket borxhit publik, në fund të vitit ai ishte 1.7 miliardë euro, që përbën 16.9% të BPV-së. Krahasuar me vitin paraprak, ka pasur një rritje prej 74 milionë eurosh ose 4.5%. Megjithatë, vazhdon të mbetet sfidë fakti se fondet e huazuara nga jashtë nuk janë përdorur me efikasitet, pavarësisht pagesës se interesit huamarrës. Kryesisht kjo, për shkak të problemeve në planifikimin dhe zbatimin e projekteve infrastrukturore, si dhe vështirësive me procesin e shpronësimeve.
Projektet e pa filluara apo realizuara nga këto fonde, janë në vijim:
• Për 10 kredi të projekteve në vlerë prej rreth 197 milionë euro, të ratifikuara gjatë viteve 2016-2024, fondet nuk janë tërhequr (disbursuar) fare; ndërsa
• Për 12 kredi të tjera, me vlerë 275 milionë euro, të cilat duhet të përmbyllen deri më 2026, deri në fund të vitit 2024 janë shfrytëzuar vetëm 114 milionë euro apo 42% e mjeteve.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dërguar te Prokurori i Shtetit gjithsej 69 çështje të evidentuara në 103 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë për sezonin 2024/2025. Këto çështje lidhen kryesisht me dyshime për shkelje dhe parregullsi në prokurimin publik, subvencione dhe transfere, investime kapitale, si dhe paga dhe mëditje. Konkretisht, shpërndarja e rasteve sipas fushave është: 37 raste në prokurimin publik, 19 raste në subvencione dhe transfere, 8 raste në investime kapitale, 4 raste në paga dhe mëditje dhe 1 rast në të hyrat.
Sipas llojit të institucioneve, 47 raste vijnë nga komunat, 12 raste nga ministritë, 7 raste nga ndërmarrjet publike dhe tri raste nga institucione të tjera.
ZKA-ja, tashmë ka marrë konfirmim nga Zyra e Prokurorit të Shtetit se të gjitha 69 çështjet janë dorëzuar te prokuroritë përkatëse për veprime të mëtejshme ligjore.
Sipas planit vjetor, pas publikimit të raporteve të auditimit të pajtueshmërisë dhe të performancës, rastet e reja të identifikuara do të analizohen dhe do t’i përcillen Prokurorit të Shtetit gjatë muajve në vijim.
Krejt në fund, Auditorja njoftoi se gjatë sezonit auditues të fundit, numri i rekomandimeve të dhëna është rritur nga 817 në 945, por niveli i zbatimit ka mbetur i ulët, vetëm 37%, duke reflektuar regres në përmirësimin e praktikave institucionale.
Sipas saj këto ngecje të zbatimit kanë pasojë të drejtpërdrejtë në përsëritjen e dobësive dhe mangësive të kontrollit financiar, duke krijuar rrezik për shpenzim joefikas të fondeve publike dhe mosrealizim të objektivave institucionale.
“Në këtë kontekst, ZKA-ja thekson urgjencën për veprime konkrete nga të gjithë Krerët e institucioneve publike, për të siguruar që paratë e taksapaguesve të shpenzohen sipas ligjit, me transparencë dhe për qëllimin e synuar, duke ndalur përsëritjen sistematike të parregullsive”, tha Spanca. /rtk