
Shtrenjtimi i kafes në Kosovë mund të vazhdojë
Çmimi i kafes në muajt e fundit, veçanërisht që nga shtrenjtimi zyrtar i rrymës elektrike, ka shënuar vetëm ngritje.
Menaxheri i një kafeneje në qendër të Prishtinës, Mentor Berisha, tha se ndonëse çmimi i kafes është rritur si pasojë e rritjes së çmimit të rrymës, në këtë rritje ka ndikuar edhe ngritja e çmimit të vetë kafes.
Ai rikujton se nuk është shtrenjtuar vetëm kafja, por edhe produktet e tjera që shërbehen në sektorin e gastronomisë.
“Për shkak të rrymës, ne faktorin e parë e kemi pasur faktorin e rritjes së çmimeve të rrymës, ka ndikuar edhe çmimi i kafes. Pra, i kemi dy faktorë, të cilët po na shtyjnë që vazhdimisht ta rrisim çmimin e kafes. Por, tash e kemi çmimin e kafeve të rritur. Nëse vazhdon rritja e çmimit ne duhet të ndryshojmë, jo vetëm çmimin e kafes, por të të gjitha produkteve. Tash e kemi rritur çmimin e kafes 25 deri në 30 për qind”, tha ai.
Ai shtoi se nuk sheh që trendi i shtrenjtimit të kafes të ndalet me kaq dhe se nga një euro kafen e kanë shtrenjtuar në një euro e gjysmë.
“Prej muajit qershor i bie, për shkak se edhe rryma është rritur goxha si shumë dhe ky trend është duke vazhduar, nuk është duke u ndalur, sepse edhe në muajin korrik është shtrenjtuar kafja kilogrami 3-4 për qind në bursë. Nuk është se ndikon shumë tek ne kjo, por edhe çmimi i rrymës, e është pak e vështirë këto ditë. E kemi pasur një euro e kemi bërë 1.50”, tha për Ekonominë Online Berisha.