
Tregu i lirë i energjisë, ç’do të ndodhë me bizneset pas korrikut?
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur se më 31 korrik, të gjitha bizneset në Kosovë me mbi 50 punëtorë, ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, do të mbesin pa rrymë.
ZRRE-ja sqaroi se afati 60-ditor i furnizimit të përkohshëm do të përfundojë më 30 korrik.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha për Ekonominë Online se sikur ta kishim pasur kuvendin, sikur ta kishim pasur komisionin për ekonomi dhe energjetikë bizneset nuk e kishin vuajtur këtë sfidën me tregun e lirë të cilën po e ka sot me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, të cilën po e keqpërdorë.
“ZRRE-ja duke mos i pasur institucionet po i detyron bizneset me dhunë që të dalin në tregun e lirë apo edhe të lidhin kontrata jashtë vullnetit të tyre. Mirëpo, dihet se në fushën e drejtësisë që marrëveshjet lidhen me vullnetin e dy palëve. Në këtë rast nuk po lidhen me vullnetin e dy palëve, mirëpo po urdhërohet që të lidhen këto marrëveshje”, tha Rafuna.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës përsëriti kërkesën që procesi i liberalizimit të tregut të energjisë të pezullohet deri më 1 shkurt 2026.
Aktualisht, kompanitë e mëdha private po furnizohen nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila po vepron si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF).
Pas skadimit të këtij afati, ky furnizues nuk ka më të drejtë ligjore të ofrojë energji për këto kompani.
Periudha 60-ditore e mbështetjes nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit ka nisur më 1 qershor, kur ka hyrë në fuqi vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Sipas këtij vendimi, të gjitha kompanitë private dhe publike që kanë mbi 50 punëtorë ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro janë të detyruara të kalojnë në tregun e hapur të energjisë, duke zgjedhur vetë një furnizues të licencuar. Kjo do të thotë se ato do të kalojnë në furnizim me çmime, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.
ZRRE-ja dhe KEK-u, si institucione përgjegjëse, u kanë bërë thirrje të gjitha bizneseve që sa më shpejt të kontaktojnë furnizues të licencuar dhe të nënshkruajnë kontratë të re për furnizim, për të shmangur ndërprerjen e energjisë.
Në Kosovë janë të licencuara 22 kompani për furnizim me energji elektrike, ndërsa tri të tjera janë në proces të licencimit.