ZRRE-ja siguron mbështetje nga BERZH-i për energjinë e ripërtëritshme
Foto: Laura Hasani

ZRRE-ja siguron mbështetje nga BERZH-i për energjinë e ripërtëritshme

Ekonomia July 18, 2025 - 15:20

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton se ka siguruar mbështetje teknike nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për zhvillimin e një mekanizmi të avancuar mbështetës për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë (BRE).

“Kjo mbështetje vjen si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të ZRRE-së për të përmirësuar kuadrin rregullativ dhe për të nxitur investimet në teknologji të gjelbra dhe të qëndrueshme në sektorin energjetik. Bashkëpunimi i ngushtë me BERZH-in përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve institucionale dhe rritjes së transparencës në proceset rregullative", thuhet në njoftimi e kësaj zyre.

Sipas ZRRE-së, ky mekanizëm do të luajë rol kyç në krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e tregut të energjisë nga burime të ripërtëritshme, në përputhje me objektivat strategjike të vendit dhe standardet evropiane.

“Institucioni mbetet i përkushtuar që përmes këtij bashkëpunimi dhe përfshirjes aktive të të gjitha palëve të interesit, të sigurojë një qasje të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në zhvillimin e sektorit të energjisë”, thuhet në njoftim.