Edhe tre milionë euro për ndërtimin e rrugëve në Gjilan

Edhe tre milionë euro për ndërtimin e rrugëve në Gjilan

Ekonomia April 03, 2025 - 09:50

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me zëvendësministrin e Infrastrukturës Hysen Durmishin, për realizimin e projekteve infrastrukturore në vlerë prej tre milionë eurove.

“Nënshkruam marrëveshje me MMPHI-në për projekte infrastrukturore në qytetin tonë në vlerë prej rreth tre milionë eurove”, tha Alban Hyseni.

I pari i Komunës tregoi se marrëveshja përfshin ndërtimin e rrugëve kryesore në Gjilan: rreth rrotullimi në udhëkryqin e qarkores dhe rrugës së Prishtinës, në lagjen “Arbëria”, në lagjen e Zabelit të Sahit Agës, rruga “Haki Myderizi” (ish-posta e vogël deri në dalje të rrugës qarkore), rruga “Avdullah Presheva” (nga xhamia e medresesë deri në dalje të rrugës qarkore), rruga “Pajazit Ahmeti” (rikonstruimi i rrugës aktuale) dhe rruga “Vëllezërit Frashëri dhe Fatmir Ibishi” (në lagjen Dheu i Bardhë).

“Zona urbane po merr formë e frymë. Po rindërtohet e po riformësohet infrastruktura e qytetit tonë”, tha kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.