
Hasaj: Subvencionimi i energjisë, kërkesë e mirëkuptueshme
Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv i Institutit GAP, ka thënë se nuk ka zgjidhje tjetër adekuate pos që Qeveria ta subvencionojë koston shtesë që mund të krijohet nga rritja e çmimit të energjisë sivjet.
Hasaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se subvencionimi do të ishte kërkesë e mirëkuptueshme për shkak të rritjes së theksuar të kostos së jetesës në vjetët e fundit, raporton Zeri.info.
Postimi i plotë:
Të gjithë ata që po thonë se nuk duhet të rritet çmimi i energjisë elektrike këtë vit, heshtazi janë duke e artikulu kërkesën që Qeveria të ndërhyjë dhe ta subvencionojë koston shtesë të krijuar në sistem! Sepse zgjidhje tjetër adekuate nuk ka!
A është e mirëkuptueshme si kërkesë? Po, për disa arsye, e që kryesisht lidhen me një rritje të theksuar të kostos së jetesës në këto 2-3 vite. Ndonëse në rast se ngriten tarifat për 15% tash qytetarët nuk do ta vërejnë mënjëherë një ndryshim të madh në shpenzimet e tyre për faturat e energjisë elektrike, pasi që jemi duke hy në pranverë, kur edhe bie konsumi, problemi qëndron tek faturat gjatë dimrit 2025/2026 dhe sjellja e bizneseve.
A kanë motiv Qeveria që ta bëjnë këtë subvencionim?
Po, për shkak se bashkë me qeveritë paraardhëse bartin përgjegjësi për mos ndërtimin e kapaciteteve të mjaftueshme për gjenerim të energjisë në vend, që nuk kanë investuar më shumë në efiçiencë të energjisë, etj, për çka me javë të tëra gjatë vitit e importojmë gati gjysmën e konsumit ditor.
Po, se ndikimi zingjiror i rrymës se shtrenjtuar (në çmimet e produkteve tjera), e ndikon keq ekonominë. E Qeverisë i duhet të ketë stabilitet si në treg, në shoqëri, etj.
Po, sepse Qeveria shpeshherë ka shpërnda pare si pa dhimtë dhe më efekt shumë më te izoluar sesa do të kishte ky subvencionim.
Jo, sepse krijohen pritje tek ne qytetarët dhe bizneset se edhe viteve në vijim Qeveria do t'i subvencionojë tarifat, gjë që bënë që ne të mos e kursejme rrymën sa duhet, etj.
Besoj që një prej argumenteve kryesore lidhet veçmas me pikën 2., meqë e kemi pa që një grup i bizneseve qëllimshëm e reflektojnë jo-proporcionalisht rritjen e çmimit të rrymës tek çmimet e produkteve të tyre. Rritu çmimi i rrymës 8%, rriti ata çmimet e tyre për 20-30%. Gjë që mund të ndikoj që përsëri të marr hov inflacioni, që aktualisht është disi nën kontroll, siç po ndodhë në disa shtete të rajonit. E përderisa Qeveria jonë nuk i ka kry punët e saja mirë e me kohë, duke e shkru apo ri-shkru mirë një ligj që ia mundëson shtetit të mos lejoj çrregullime të tilla të çmimeve në treg në kohë jo stabile, asaj i është reduktuar edhe numri i instrumenteve përmes të cilave mund të reagojë.