
Roli i avokatit në zhvillimin ekonomik, tema e takimit të Kurtit dhe Campit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim profesorin Martin L. Camp, prodekan i Fakultetit Juridik të Universitetit "Southern Methodist" (SMU) në Dallas të Teksasit, i cili po qëndron në vendin tonë për të vendosur bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë.
Gjatë këtij takimi, profesori foli për rolin e avokatit në zhvillimin ekonomik dhe drejtësinë shoqërore në një vend demokratik.
“U shpreh i lumtur për memorandumin e bashkëpunimit që ka nënshkruar këtë javë me Universitetin e Prishtinës dhe për mundësinë për t'u ndërlidhur me institucione të tjera në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri Kurti vlerësoi rëndësinë e arsimit dhe juristëve të kualifikuar për zhvillimin ekonomik, qeverisjen e mirë dhe përfaqësimin e duhur të shtetit. Në veçanti u vendos theksi mbi rëndësinë e etikës së juristit dhe kontributit të të njëjtit ndaj sundimit të ligjit.
Kryeministri Kurti u shoqërua në takim nga zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, i cili ka marrë gradën Juris Doctor nga SMU, dhe këshilltarja juridike e Kryeministrit, Tea Blakaj./Zëri