
Oda Ekonomike e Kosovës kërkon shtyrjen e shtrenjtimit të rrymës së paku për një vit
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka kërkuar të shtyhet vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike së paku për një vit, pasi sipas tij vendimi është marrë në kohë të shkurtër dhe nuk ka pasur kohë që bizneset të përgatiten.
Rafuna ka thënë se në takimin me bizneset, kërkesa e tyre ka qenë që të shtyhet ky vendim, si dhe që institucionet e Kosovës të subvencionojnë sektorin e prodhimit.
“Patëm një mundësi t’i dëgjojmë shqetësimet e biznesit. Shqetësimet më të mëdha ishin te bizneset e prodhimit, ku do të ketë efekt zinxhiror, do të rritë koston e produktit që më pas do të bartet te konsumatori. Është kërkesë të shqyrtohet mundësia të shtyhet të paktën për një vit ky vendim. E dyta kërkesë drejtuar institucioneve të Kosovës është që sektori i prodhimit të subvencionohet. Kërkesa e të gjithëve është që të shtyhet së paku për një vit implementimi i këtij vendimi, sepse ka sfida të tjera dhe kjo sfidë shtesë është shumë. Do të ketë rritje të papunësisë dhe tkurrje të prodhimit vendor të Kosovës. Kërkesa e OEK-ut është që kjo të shtyhet. Nuk jemi kundër vendimit, por koha është shumë e shkurtër. Nuk ka pasur kohë që biznesi të përgatitet. Kërkesa tjetër që vjen për partitë politike është sa më shpejt të kemi të themeluara institucionet e vendit, në mënyrë që të kemi kujt me iu adresua”, ka thënë Rafuna në konferencë për media.