Bie çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare
Çmimet e naftës në tregjet botërore javën e kaluar dukshëm ranë, pas katër javësh rritje, pasi presidenti amerikan Donald Trump kërkoi nga OPEC të ulë çmimet dhe njëkohësisht paralajmëroi rritje të prodhimit të naftës në SHBA.
Çmimi i një fuçie në tregun londinez javën e kaluar ra për 2,8 për qind, në 78,50 dollarë, ndërsa në tregun amerikan fuçia ra për 4,1 për qind, në 74,66 dollarë.
Rënia e çmimeve në masë të madhe është rezultat i komenteve të Trump, i cili në fjalimin e tij para pjesëmarrësve të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, tha se ka kërkuar nga OPEC ta ulë çmimin e naftës për t’i dëmtuar financat ruse dhe me këtë ta detyrojë Rusinë të fillojë negociata paqësore me Ukrainën.
Trump edhe më parë tha se qëllimi i tij është ta rrisë prodhimin vendor të naftës, ndërsa njëkohësisht ta përshpejtojë dhënien e lejeve për projekte të reja. OPEC me vite ul prodhimtarinë për shkak të kërkesës së dobët pas krizës së koronavirusit, por organizata së fundi njoftoi rritje të prodhimit.
Në rrethana të tilla, Agjencia Ndërkombëtare për Energji (IEA) vlerëson se oferta e naftës në vitin 2025 do të rritet për 1,9 milionë fuçi në ditë, madje edhe nëse OPEC dhe aleatët e tij shtyjnë rritjen e prodhimtarisë deri në vitin 2026, sepse prodhuesit e pavarur të udhëhequr nga SHBA do ta rrisin prodhimtarinë.
Për shkak të gjithë kësaj, javën e kaluar çmimet e naftës shënuan rënien e parë këtë vit.
Megjithatë, ato ende janë në rritje në krahasim me fillimin e vitit – përafërsisht gjashtë për qind.